Ish-ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, ka kërkuar që të mbahen premtimet e dhëna nga Bashkimi Evropian për Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ai, gjatë një takimi me të dërguarin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, i ka kërkuar liberalizimin e vizave, ndërkaq kërkesa e tij për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte anëtarësimi në BE.
Me anë të një postimi në Twitter, Roth ka shkruar se shtetet e Ballkanit Perëndimor meritojnë më shumë se fjalët e thëna.
“I dashur Miroslav Lajçak, faleminderit për vizitën tuaj dhe punën tuaj të shkëlqyer. BE-ja duhet të mbajë premtimet e saj: fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe liberalizimin e vizave për Kosovën. Demokracia dhe sundimi i ligjit kanë rëndësi”, ka shkruar Roth.
Dear @MiroslavLajcak,thanks for your visit+your great work.The Western Balkan states belong to us+deserve more than lip services. EU must keep its promises: starting accession talks with Albania🇦🇱 +North Macedonia🇲🇰,visa liberalisation for Kosovo🇽🇰 .Democracy+rule of law matter. pic.twitter.com/z92kB0I4bo
— Michael Roth MdB 🇪🇺🇺🇦 (@MiRo_SPD) March 29, 2022
Ndryshe, Lajçak, të mërkurën e dy shkurtit, në një konferencë për media në Prishtinë kishte thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është çështje e procesit të dialogut me Serbinë.
“Vërtetë besoj që Kosova meriton që t’i jepet regjimi pa viza, e ka merituar para shumë kohe, Komisioni Evropian e ka thënë qartë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, por e dini se kjo nuk është çështje e dialogut”, ishte shprehur Lajçak.
Sipas tij, kjo çështje i takon vendeve anëtare.
“Është çështje që kërkon marrëveshje konsensuale të 27 vendeve anëtare, dhe mund të ju them se sa herë që informoj shtetet anëtare e ngrisë këtë çështje, se sa e dhimbshme është kjo çështje në Kosovë, vërtet shpresoj se nuk do të marrë shumë kohë para se të shohim një liberalizim të vizave”, kishte theksuar ai.
Ndryshe, Eurodeputetja në Parlamentin Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, në një konferencë për media në Veriun e Mitrovicës, më katër mars të vitit 2022, kishte potencuar se BE është katër vjet me vonesë për t’ia dhënë Kosovës liberalizimin e vizave.
“Gjithmonë e kam dritën jeshile për këtë proces, por nuk është e gjitha në duart e Parlamentit Evropian. E kemi konfirmuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat teknike, e di që jemi katër vjet me vonesë”, ishte shprehur ajo.
Cramon, e cila është në një vizitë zyrtare në Kosovë, të enjten e tre marsit e shoqëruar me shefin e zyrës në BE, Tomas Szunyog ka takuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast kanë diskutuar për situatën në Ukrainë pas agresion ushtarak të Rusisë.