Politikë e ngulfatur nga ndotja

Politikanët në fushatë zgjedhore nuk flasin për ndotjen e ajrit e as degradim të mjedisit. Nuk kanë ide se si t’i zgjidhin këto probleme të mëdha të vendit. Premtojnë gjithçka, të ngulfatur nga ndotja

Drita, fanfare e xixa, brohoritje e duatrokitje për liderë partish brenda sallave në të cilat mbahen tubimet zgjedhore. Jashtë ndotje, ndotje që të ngulfat. Por, asnjë nga premtimet e bollshme nuk ka të bëjë me zgjidhjen për një ndër problemet më të mëdha të vendit. Asnjëri nga liderët partiakë nuk flet për ndotjen, nuk ofron propozim as zgjidhje se si t’i bëhet kësaj pune.

Termocentralet me thëngjill, trafiku i ngarkuar, përdorimi i thëngjillit për ngrohje nëpër familje, fabrikat, si dhe mjedisi i degraduar e plot mbeturina janë vetëm disa nga shkaqet e ndotjes. Prishtina jo rrallë bën pjesë në mesin e qyteteve më të ndotura në botë. Ndërkaq, sipas ekspertëve, 760 vetë vdesin çdo vit në Kosovë si pasojë e ndotjes së ajrit. Sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit, Kosova ka shkallën e pestë më të lartë të vdekshmërisë për shkak të niveleve të larta të PM2.5 dhe ozonit.

Por, kjo nuk iu bën fort përshtypje atyre që çdo ditë e çdo natë kërkojnë votën e qytetarëve. Ata janë të preokupuar me tema të tjera. Premtojnë rritje pagash, investime në infrastrukturë, premtojnë gjithçka që iu vjen në mendje. Por asnjëri nga ta nuk ka përgjigje në një pyetje fare të thjeshtë: çfarë të bëhet me ndotjen?

Nuk dyshoj se këtij problemi të madh partitë mund t’ia kushtojnë pak rreshta në programet e veta, por është e çuditshme që ende nuk dëgjojmë e shohim asjë plan për të dhënë zgjidhje konkrete.

Në vitin 2022 Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Strategjinë për Energji 2022-2031, sipas së cilës vendi synon që deri në vitin 2031 të arrijë që 35 për qind të nevojave për energji t’i gjenerojë nga energjia e ripërtërishme. Në këtë mënyrë do të ulej prodhimi në termocentrale, përkatësisht niveli i ndotjes së ajrit. Por, askush nuk denjon të tregojë se çfarë është punuar në këtë drejtim tash katër vjet.

* * *

Qindra-mijëra automjete, të cilat qarkullojnë në Kosovë, janë nën standardin EURO 2 të djegies së karburantit, ndërkohë që nuk ka asnjë kufizim për lëvizjen e tyre sipas standardeve të djegies së karburanteve. Sipërfaqe të mëdha tokash dhe lumenj janë degraduar, ndërkohë që ka pak impiante për përpunimin e ujërave të zeza. Mbeturinat mbulojnë vendin gjithandej, përballë pafuqisë së institucioneve për të fituar betejën me to.

Por, për këto probleme nuk flitet në fushatë zgjedhore. Flitet për gjithçka tjetër, përveç ndotjes. Bëhen premtime për gjithçka tjetër, por nuk dëgjojmë e shohim ofrim të zgjidhjeve as për ngrohjen me thëngjill, as për automjetet, as për konsumimin e duhanit në ambiente të mbyllura dhe hapësira publike. Mbase për politikanët këto janë probleme të vogla, sepse ata merren vetëm me “gjëra të mëdha”. Por, teksa lëvizin nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat, nga lagjja në lagje, si nuk ua vret sytë e si nuk i ngulfat ndotja? Si mund të udhëtojnë drejt sallave plot simpatizantë, e të mos ua thonë atyre asnjë fjalë për një ndër problemet më të mëdha, me të cilin ballafaqohen çdo ditë?

Zakonisht për “Ditën e Tokës” qeveritarët renditin problemet e mjedisit dhe ndotjes. Psh. para katër vjetësh kryeministri Albin Kurti ka përmendur marrjen e “veprimeve urgjente” për ndaljen e praktikave të dëmshme dhe të paligjshme. Ai kishte thënë atëherë se prioritete të qeverisë do të ishin mbrojtja e bjeshkëve të shkatërruara nga prerjet ilegale dhe pa plan të drunjve dhe nga nxjerrja e gurëve, ndalimi i degradimit të lumenjve dhe restaurimi i tyre, vendosja e kontrollit mbi gurëthyesit dhe ndalimi i betonizimit të tokës bujqësore. Katër vjet më vonë nuk është ndërmarrë asnjë veprim serioz për këto çështje. Me siguri njësoj do të ndodh edhe katër vjetët e ardhshëm.

* * *

Kur t’i takojnë nëpër tubime zgjedhore ose kudo tjetër, qytetarët duhet t’i pyesin politikanët për ndotjen, duhet t’i pyesin çfarë plani kanë, duhet të kërkojnë përgjegjësi nga ta. Kjo temë nuk është as e popullarizuar, as e këndshme për ta. Por është më e rëndësishme se plot broçkulla të tjera që premtojnë.

Të fundit nga rubrika