Rama në Samitin e BE-së: Ballkani i Hapur është artikulimi më i pastër i ndjesisë sonë të përkatësisë në Evropë

Kryeministri i Shqipërisë, Rama gjatë fjalimit të tij në samitin e BE-së, ka thënë se nisma e Ballkanit të Hapur i duhet Evropës, sepse sipas tij Bashkimi Evropian është në një krizë të thellë identiteti, prandaj i duhen të gjitha idetë dhe të gjitha nismat për të rindërtuar jo vetëm projektin politik që është braktisur, por edhe vetë besueshmërinë e tij në sytë e qytetarëve të saj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalimin e tij në kuadër të Samitit të BE-së,  ka filluar me zhgënjimin e tij për mosnisjen e negociatave për Shqipërinë, duke iu drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Michel, kërkove në fillim që ndërhyrjet të jenë nga tre minuta. Po ta kishit mbajtur fjalën e të na kishit thirrur për nisjen e negociatave, do më kishin mjaftuar 30 sekonda. Por kur kjo nuk ka ndodhur kufirin e 3 minutave duhet ta harroni! Të paktën na duroni ca minuta më shumë, në respekt të durimit tonë shumëvjeçar karshi jush”, ka thënë Rama.

Ai ka thënë se është fat i keq, që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jenë pjesë e një Evrope, e që sipas tij është e ndarë.

“Keq, sepse ne nuk mundemi të jemi këtu si europianë në shtëpinë e tyre, por vetëm si mysafirë të një Europe të ndarë. Një Europë të cilën as tragjedia e një pandemie globale në të shkuarën e afërt, as kërcënimi i një lufte tragjike globale në të ardhmen e afërt, nuk kanë mundur ta bashkojnë nën një çati”, ka shtuar Rama.

Ai ka shprehur indinjimet e tij ndaj Bullgarisë, duke shpresuar që të bashkohet në familjen e madhe evropiane.

“Shpresoj shumë që ndërsa ne, në Ballkanin Perëndimor,  vazhdojmë rrugëtimet tona individuale drejt anëtarësimit në BE, duke u përballur me një Bullgari këtu e një Bullgari atje, të mund të marrë formë një çati e përbashkët europiane”, ka shtuar ai.

Sipas tij, kjo ide që ata të futen në BE, është një lloj djathi francez që siç thotë ai, serviret si antipastë për të mohuar pjatën e vërtetë.

“Kam dëgjuar disa të thonë se kjo ide s’është serioze, se është një lloj tjetër djathi francez që na serviret si antipastë për të na mohuar pjatën e vërtetë. Kam dëgjuar të thuhet se mund të jetë madje edhe një ide e rrezikshme, pasi një i tillë komunitet politik mund të zëvendësojë vetë zgjerimin dhe ta asgjësojë atë. Që Franca kurrë nuk ka qenë një forcë entuziaste për zgjerimin e këtij Unioni, ky është një sekret gjerësisht publik. Që Emanuel Makronit i duhet të përpëlitet midis shpirtit të tij tejet europian dhe kostumit presidencial të një vendi, ku të gjesh entuziazëm për zgjerimin e Bashkimit Europian është njësoj si të gjesh ujë në shkretëtirën e Arabisë Saudite, edhe ky është një sekret tejet publik. E megjithatë ideja e tij, për të na mbledhur të gjithëve së bashku, në një Komunitet të ri Politik Europian, duket për momentin një recetë shumë më premtuese sesa pjata bosh e zgjerimit pa zgjerim, e cila na është servirur për vite të tëra me radhë”, ka shtuar Rama.

Sipas tij, procesi i zgjerimit dikur ishte një mënyrë për të ushqyer shpirtin e Europës së përbashkët, ndërsa tashmë është kthyer në rrugën më të shkurtër që mund të çojë në shkatërrimin e saj.

“Çfarë turpi për Evropën kjo historia bullgare! Në mes të një lufte tejet të nxehtë në oborrin e Europës, një vend i NATO-s merr peng dy vende të tjera të NATO-s përpara syve të 26 vendeve të BE-së, që rrinë ulur në një shfaqje të frikshme pafuqie”, ka thënë ai.

Sipas tij, agresori rus i Ukrainës po merr një ndihmë bujare nga një vend i NATO-s, e që i cili po destabilizon një vend tjetër të NATO-s.

“Dhe pastaj thonë se Vladimir Putini është shumë i sëmurë! Vladimir Putini mund të jetë me të vërtetë i sëmurë ose edhe mund të mos jetë, por më lini t’ju them se kjo situata këtu nuk duket posaçërisht e shëndetshme”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Vladimir Putini sheh pikërisht hallkën e dobët për të goditur më tutje rendin evropian.

Ai ka folur edhe për Ballkanin Perëndimor.

“Sjellja e çështjeve historike dypalëshe në nivelin e Bashkimit Evropian duhet të ndalet. Si mundet të përdoret Bashkimi Evropian si një hapësirë për të marrë peng vende të tjera për interesa të brendshme të pengmarrësit”, ka pyetur Rama,

Sipas tij, Ballkani i Hapur është emri i mjetit që është krijuar për ta bërë “Berlinin” realitet në terren.

Ai ka bërë thirrje që të mbështetet kjo iniciativë.

“Ballkani i Hapur është artikulimi më i pastër i ndjesisë sonë të përkatësisë në Evropë. Është përpjekja më e gjithanshme për të krijuar një hapësirë paqeje, bashkëpunimi dhe sundimi të katër lirive themelore të BE-së. Më lini t’ju them se Ballkani i Hapur është angazhimi i ri dhe më konstruktivi që mund të gjendet në frymën e një Evrope të bashkuar” ka shtuar ai.

Sipas tij, Serbia është një pjesë e rëndësishme e Ballkanit Perëndimor, e Ballkanit të Hapur, e Proesit të Berlinit, e mozaikut të Komunitetit Politik Evropian.

Ai ka përfunduar fjalimin e tij duke thënë se në  Shqipëri të gjithë I besojnë Evropës.

“ Edhe sot, të gjithë besojnë te BE-ja. Në Ballkanin Perëndimor janë të shumtë ata që ende besojnë. Koha ikën dhe bota po bëhet gjithnjë e më shumë një vend i rrezikshëm, por është ende një cep në Europë ku njerëzit kanë besim te projekti. Mos lini që ky besim të bjerret pa kthim dhe mos lejoni që BE-ja të katandiset fare si ai kongregacioni i priftërinjve, të cilët debatonin për seksin e engjëjve teksa shembeshin muret e Kostandinopojës”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, të enjten e 23 qershorit, Rama, në përmbyllje të Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ka thënë se do të vijojë puna për Shqipërinë si anëtare e mirë e BE-së.

Teksa e ka përshkruar situatën pas takimit me udhëheqësit e BE-së, Rama ka thënë se “imagjinoni sa bukur do të ishte nëse premtimet e bukura” ashtu si fjalët e bukura “do të pasoheshin nga një dorëzim i këndshëm”.

“Vend i bukur, njerëz të këndshëm, fjalë të bukura, foto të bukura dhe imagjinoni sa më bukur mund të ishte nëse premtimet e bukura do të pasoheshin nga një dorëzim i këndshëm. Por ne shqiptarët nuk jemi aq të mirë sa të dorëzohemi bukur! Kështu që ne do të vazhdojmë dhe do të punojmë edhe më shumë për ta bërë Shqipërinë një anëtare të mirë të BE-së”, ka shkruar Rama në Twitter.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika