Ministria e Jashtme e Katarit ka njoftuar se armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit do të hyjë në fuqi të dielën në orën 08:30 sipas kohës lokale (06:30 GMT).
Marrëveshja e arritur synon t’i japë fund konfliktit 15-mujor mes dy palëve.
Sipas marrëveshjes, 33 pengje izraelite do të lirohen gjatë fazës së parë që zgjat gjashtë javë, ndërsa Izraeli do të lirojë rreth 1,900 të burgosur palestinezë. Në këtë grup përfshihen gra dhe të mitur nën 19 vjeç.
Shkëmbimi i parë do të ndodhë të dielën pasdite, në orën 16:00 (14:00 GMT), ku të burgosurit palestinezë do të lirohen pasi pengjet izraelite të kenë mbërritur të sigurt.
Pavarësisht lajmit për armëpushim, situata mbetet e tensionuar. Të shtunën, sirenat u dëgjuan në Izrael qendror pas sulmeve raketore të nisura nga Jemeni. Në Gaza, bombardimet izraelite shkaktuan të paktën 23 viktima gjatë 24 orëve të fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës.
Trupat izraelite do të tërhiqen në një zonë tampon rreth një kilometër brenda Gazës, raporton AP.
Pengjet e mbetura do të lirohen në faza të ardhshme, me kusht që armëpushimi të mbetet në fuqi.
Të burgosurit palestinezë të dënuar për sulme vdekjeprurëse do të internohen dhe ndalohen të kthehen në Izrael apo Bregun Perëndimor.
Kjo është marrëveshja e dytë e armëpushimit gjatë konfliktit aktual, ndërsa shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje, përfshirë fatin e disa pengjeve që do të lirohen.