AKB: Reduktimet e energjisë po u shkaktojnë humbje bizneseve

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me sfidat e vazhdueshme me të cilat po përballen bizneset në Kosovë, duke përfshirë problemet me furnizimin me energji elektrike, si dhe mungesën e dialogut efektiv mes sektorit privat dhe qeverisë.

Duke folur për gjendjen aktuale, Shahini evidentoi tre probleme kryesore që po ndikojnë drejtpërdrejt në operacionet e bizneseve, sipas tij, janë ndërprerjet e papritura të energjisë elektrike, të cilat dëmtojnë proceset prodhuese dhe shkaktojnë humbje, çmimi i lartë i energjisë, që e rendit Kosovën ndër vendet me energjinë më të shtrenjtë në Ballkan si dhe mungesën e mbështetjes për sektorët në krizë.

“Tri probleme që janë evidente sa i përket furnizimit me energji elektrike është se ne kemi ndërprerje të energjisë elektrike pa paralajmërime tekë bizneset. Kjo ndikon drejtë për së drejti në aktivitetin e prodhuesit vendor, në ndaljen e prodhimit dhe aty shkakton havari dhe humbje të lëndës së parë e cila është në proces. Dhe së treti e kemi energjinë më të shtrenjta në Ballkanin Perëndimor. Janë këto tri probleme që vazhdimisht në 2024 dhe në fillim të këtij viti bizneset po ballafaqohen”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Ai gjithashtu paralajmëroi për një krizë politike dhe ekonomike gjatë vitit 2025, të cilën e sheh si një vit të vështirë për ekonominë e vendit. Shahini theksoi se proceset zgjedhore, si zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, mund të lënë në hije prioritetet ekonomike.

“Kosova në 2025 do të ketë një ngërç të madh politik dhe ekonomik. Jemi në një vit zgjedhor dhe zgjedhjet posa të përfundoj me 9 shkurt, do ti kemi zgjedhjet lokale në vjesht. Ku parit politike do të fokusohen në zgjedhjet e kandidateve, në luftë për të marr vota sa më shumë, kurse ekonomia ka rrezik që mund të lihen anash ashtu siç ka mbetur këto vitet e fundit dhe në kemi një ekonomi të dobët, një ekonomi e cila është e varur nga importet. Prandaj kur gjithë kësaj i bashkëngjitet edhe problemi i dialogut, ne e shohim vitin 2025 si një vit jo të mirë sa i përket ekonomisë dhe reformave në ekonomi për të dalur nga kjo situatë e vështirësuar ekonomike, qoftë bizneset, qoftë qytetarët, qoftë edhe vetë shteti i Kosovës”, ka thënë ai.

Ai bëri thirrje që qeveria e ardhshme të ketë një strategji gjithëpërfshirëse për të adresuar këto probleme, duke përfshirë rritjen e dialogut mes sektorit privat dhe qeverisë për zgjidhjen e problemeve emergjente, hartimin e një strategjie kundër varfërisë dhe për zhvillimin ekonomik, me fokus të veçantë në sektorët në krizë, si prodhimi.

Shahini ka përmendur edhe rishikimin e ligjit për pronat komerciale, tarifa e të cilave është rritur deri në 300% gjatë vitit të kaluar, një problem që Shahini tha se duhet të zgjidhet brenda këtij viti.

“Kërkesat tona për qeverinë e re janë që të ngritët dialogu mesë sektorit privat dhe shtetëror, i cili ka munguar në të kaluarën. Të krijohet strategji që të luftohet varfëria. njëkohësisht, strategji për të zhvilluar ekonomin e me theks të veçanta sektorët që janë në krizë siç është sektori prodhues. Po ashtu edhe sektor të tejtër në mënyrë që ne të jemi me fuqinë tonë me konkurrues në tregun e Kosovës por edhe në eksport dhe në shtete e tjera kur ne pretendojmë që të marrim si treg. Po ashtu reformat e politikave fiskale të cilat do të jenë ato si mbështetës, për prodhuesit vendor, njëkohësisht subvencionimi i prodhueseve fillestare, startup, që kjo do të ndihmonte në ngritjen e bizneseve të vogla të cilat kanë projekte por nuk kanë mundësi financiare. Qeveria duhet të shikoj ligjin për pronat komerciale, e cila është rritur 200 deri në 300 për qind në vitin e kaluar, kjo do të duhet që brenda këtij viti të anulohet”, ka thënë ai për Ekonomia Online.