Mësimdhënësi i lëndës së biologjisë, Adem Mustafa, në shkollën fillore, “Lidhja e Pejës” në Novosellë është suspenduar, dhe larguar përkohësisht nga puna, nën dyshimin që ka kryer vepër penale në vendin e punës.
Largimi i Adem Mustafës do të zgjasë maksimalisht 6 muaj me 50% të pagës, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit.
Drejtoria e Arsimit, me qëllim të zbatimit të dispozitave ligjore, ka suspenduar të punësuarin, pasi ndaj tij ka filluar procedura penale nën dyshimin e kryerjes së veprës penale të ngacmimit seksual ndaj nxënëses. Ai, sipas Drejtorisë së Arsimit bazuar në dyshimet e para, ka bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës.
Këtë rast e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili për PortalinD ka bërë të ditur se ky rast ka ndodhur gjatë ditës së enjte të 23 qershorit, rreth orës 11:00, ndërsa është raportuar në orën 13:00.
“Rasti ka ndodhur në shkollën “Lidhja e Pejës” në Novosellë, policia është përgjigjur menjëherë në vend të ngjarjes. Policia ka dalë dhe e ka sjellë në stacion dëshmitaren dhe janë mbledhur edhe psikologët dhe janë kryer intervistat, poashtu është arrestuar i dyshuari,” ka bërë të ditur zëdhënësi.
Gashi ka bërë të ditur se rasti është cilësuar si sulm seksual, dhe me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.