Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit nuk pritet të ketë destabilizim të situatës së sigurisë në vend. Ndërsa, gjuha e ashpër e partive politike po vlerësohet të jetë diçka e rëndomtë jo vetëm për Kosovën por edhe rajonin.
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami thotë se deklaratat e shefit të NATO-së, Mark Rutte bëjnë thirrje për më shumë përkujdesje.
Por, ai thekson se nuk sheh ndonjë rrezik për ndonjë lloj destabilizimit të sigurisë në vend.
“Deklarata e shefit të NATO është që të ketë një përkujdesje më të madhe, por unë nuk shoh asnjë rrezik, asnjë lloj destabilizimi gjatë mbarëvajtjes së këtyre zgjedhjeve, por as në të ardhmen… Nuk pres që të ketë ndonjë destabilizim apo incident. Madje, unë mendoj se nëse mund të ketë ndonjë incident të izoluar, mund të ketë në katër komunat veriore te komuniteti serb sepse ata janë të ndarë dhe të përçarë, duke marrë parasysh që deri në këto zgjedhje Lista Serbe iu ka bërë presion që gjithsesi t’i votojnë ata me urdhër të Serbisë, dhe tashmë qytetarët e komunitetit serb janë të vetëdijësuar dhe nuk kanë ndonjë presion sepse atje janë institucionet e sigurisë së Kosovës, të cilat janë në shërbim të secilit qytetarë dhe secilit komunitet”, theksoi Islami.
Gjatë kësaj jave në Kosovës është paralajmëruar se do të rritet numri i pjesëtarëve të EULEX-it, por njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami konsideron se institucionet e sigurisë në Kosovën kanë kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e fushatës zgjedhore.
Ditët e para të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit kanë sjellë edhe një ashpërsim të fjalorit politik dhe shtim të akuzave të ndërsjella ndërmjet kandidatëve në garë dhe subjekteve politike, por sipas profesorit të shkencave të sigurisë, Avni Islami kjo gjuhë e përdorur është retorikë e zakonshme që përdoret nga subjektet politike në Ballkan.
Shqetësimet për situatën në kohë të zgjedhjeve në Kosovë i shfaqi së fundit sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili tha se aleanca ushtarake perëndimore është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që të mos ketë destabilizim në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare.
“Natyrisht, i kemi disa shqetësime atje, sidomos për situatën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithsesi, ne jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi. Kjo është kyç. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar për së afërmi sepse është një fqinjësi kryesore për ne”, ka thënë Rutte.
Gjatë kësaj jave edhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka paralajmëruar përforcimin e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) përmes dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.
Procesi zgjedhor në Kosovës po zhvillohet në një periudhë kur siguria cilësohet e brishtë si pasojë e trazirave dhe dy sulmeve terroriste që kanë ndodhur në veri të vendit, për të cilat autoritet kosovare bëjnë përgjegjëse Serbinë./KP