Një grabitje e armatosur në një institucion mikrofinanciar ka ndodhur këtë të martë, në rrugën “Enver Maloku” në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Dukagjinin, se dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armës, dyshohet se kanë grabitur një shumë parash.
Policia e Kosovës, pas marrjes së informacionit, ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Falë reagimit të shpejtë të Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme, që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, njëri nga personat e dyshuar është arrestuar vetëm pak minuta pas raportimit të rastit.
Aktualisht, i dyshuari po intervistohet nga hetuesit, ndërkohë që policia është në kërkim të personit të dytë, i cili tashmë është identifikuar.
“Reagimi i shpejtë i zyrtarëve nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme, që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, ka rezultuar me arrestimin e njërit prej personave të dyshuar vetëm pak minuta pas raportimit të rastit. Personi i dyshuar aktualisht po intervistohet, përderisa hetuesit janë në kërkim të personit të dytë, të cilin tashmë e kanë identifikuar”, thuhet nga ana e Policisë.
Policia dyshon se të njëjtit persona janë të përfshirë edhe në një grabitje të armatosur që ndodhi më 17 janar 2025, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.