Kurti kujton Rugovën në 19 vjetorin e vdekjes së tij

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar ish-Presidentin historik, Ibrahim Rugovën në 19-të vjetorin e vdekjes së tij.

Kurti përmes një postimi në “Facebook” tha se Rugova ka luajtur rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke shtuar se konsistenca e tij për liri, demokraci dhe pavarësi “u dëgjua si mesazh autentik dhe i besueshëm”.

Ai është shprehur se gjatë vitit 1997 e kishte takuar dy herë Rugovën, duke thënë se ka mbetur në kujtesë si një njeri i urtë, paqësor dhe besnik “ndaj rrugës së dialogimit në politikë”.

“Në kujtim të Presidentit Ibrahim Rugova (1944-2006)

Në fillet e angazhimit tim politik, më 1997, kam patur rastin ta takoj dy herë Presidentin Ibrahim Rugova, prej kur figura e tij më ka mbetur në kujtesë në trajtën e imazhit të një njeriu të urtë, paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë. Sot janë bërë 19 vite nga 21 janari i vitit 2006, kur Dr. Ibrahim Rugova vdiq në moshën 61 vjeçare, duke lënë pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore.

Si kryetari i parë i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës që nga themelimi i saj më 1989 dhe më pas si Presidenti i Parë i Kosovës nga viti 1992 e tutje, Ibrahim Rugova luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në fillimvitet ’90. Konsistenca e tij retorike me kërkesa për liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën, u dëgjua si një mesazh autentik dhe i besueshëm në të gjitha kancelaritë e shteteve të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008″, shkroi Kurti.

Kurti shtoi se për të njohur më afër personalitetin e Rugovës “u është shtuar dhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman për Presidentin Rugova. I përgatitur për botim nga studiuesi Bejtullah Destani”.

“Dr. Ibrahim Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, e cila është mbledhur dhe studiuar, por që edhe më tutje pritet të njihet dhe të studiohet nga politologët, historianët, filozofët dhe kritikët e letërsisë. Në muajt e fundit, korpusit të botimeve për Presidentin Ibrahim Rugova, u është shtuar dhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman për Presidentin Rugova. I përgatitur për botim nga studiuesi Bejtullah Destani, ky libër mund të merret si një hyrje e mirë për t’u njohur me profilin politik të Presidentit Rugova, parë nga perspektiva e raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe si një mënyrë për ta kujtuar atë në këtë përvjetor të vdekjes së tij.

Në shenjë mirënjohje dhe respekti për Presidentin Ibrahim Rugova, në 19 vjetorin e tij të vdekjes”, vijoi Kurti.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika