Katër nxënës të shkollës “17 Shkurti” në Shirokë të Suharekës kanë pësuar lëndime nga një sulm i qenit. Incidenti ka ndodhur të mërkurën në orët e mëngjesit.
Sipas njoftimit të policisë, një nxënëse ka pësuar lëndime më serioze në kokë, ndërsa tre nxënës të tjerë janë lënduar gjithashtu.
“Janë sulmuar 4 nxënës të kësaj shkolle, në fshatin Shirokë të Suharekës të sulmuar kanë qenë edhe polic. Është njoftuar edhe prokurori i shtetit, inspektorati policor. D.m.th. janë sulmuar edhe policë por që fal profesionalizmit kanë arritur që të neutralizojnë atë. Ky nuk është një qen endacak por me pronar, ku është identifikuar edhe pronari i tij”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, për Dukagjinin.
Dy nxënëse kanë kërkuar ndihmë mjekësore, dhe njëra prej tyre vazhdon të jetë në spital, duke marrë trajtim. Gjendja e saj është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, sipas Hekuran Veçgishtit, drejtor i Emergjencës në Prizren.
“Dy nxënëse kanë kërkuar ndihmën mjekësore njëra prej tyre vazhdon të jetë në spital duke marrë trajtim. Gjendja është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Veçgishti për Dukagjinin.