KPM sqaron procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri: Padrejtësisht na kanë akuzuar për ndikim politik

KPM ka publikuar një sqarim në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të ri, Besnik Berisha. Sipas komisionit, të gjitha procedurat janë kryer në përputhje me ligjin dhe rregulloret e brendshme. Zgjedhja e kryetarit të ri është një kompetencë ekskluzive e anëtarëve të komisionit dhe ka për qëllim të sigurojë funksionimin efektiv të institucionit. KPM mohon, siç i ka quajtur, akuzat për një "shkarkim të papritur" të ish-kryetarit, Jeton Mehmeti dhe thekson se procesi ka qenë transparent.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka publikuar një sqarim në lidhje me zgjedhjen e Besnik Berishës si kryetar i ri i institucionit.

Në sqarimin e tyre, KPM thekson se të gjitha procedurat e ndërmarra gjatë këtij procesi janë në përputhje me ligjin dhe rregulloret e brendshme të institucionit.

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve: KPM-ja duhet të mbetet e lirë

Një nga pikat kryesore të sqarimit të KPM-së është se Rregullorja e Punës e KPM-së, e cila ka pësuar disa ndryshime në vite, është hartuar në përputhje me Ligjin për KPM-në.

Kjo rregullore, sipas KPM-së, nuk është subjekt i diskutimit publik dhe vetëm anëtarët e komisionit kanë të drejtë ta ndryshojnë atë.

“Lidhur me informatat e plasuara në publik sa i përket zgjedhjes së z. Besnik Berisha si Kryetar i KPM-së, njoftojmë publikun se Rregullorja e Punës e KPM-së, e hartuar fillimisht në vitin 2012, dhe e amandametuar në vitin 2014, 2018 dhe tani në 2025, është bërë në pajtim me të njëjtin Ligj të KPM-së ( Ligji nr. 04/l-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave). Rregullorja e Punës e KPM-së nuk ka qenë asnjëherë në diskutim publik. Është interpretim i qartë ligjor që aktet e brendshme institucionale që rregullojnë procedurat e brendshme të punës së institucionit dhe që nuk rregullojnë ose përcaktojnë në çfarëdo forme marrëdhëniet me palët e jashtme (pra në këtë rast mediat e licencuara dhe publikun) nuk vendosen në diskutim publik.

Pra janë të vetmit anëtarët e KPM-së që kanë të drejtën dhe mund të ndryshojnë Rregulloren e Punës në çdo kohë. Gjithashtu edhe zgjedhja e Kryetarit bëhet ekskluzivisht nga anëtarët e Komisionit si e drejtë dhe obligim ligjor i tyre”, thuhet në reagimin e KPM-së

Gjithashtu, KPM thekson se zgjedhja e kryetarit është një kompetencë ekskluzive e anëtarëve të komisionit dhe se ky proces ka për qëllim të sigurojë funksionimin efektiv të institucionit.

Sipas KPM-së, zgjedhja e një kryetari të ri para përfundimit të mandatit të kryetarit aktual është një praktikë e zakonshme dhe ka pasur raste të ngjashme edhe më parë.

“Është obligim i anëtarëve të Komisionit që brenda kapaciteteve të tyre, të bëjnë gjithë çfarë është e mundur që KPM të funksionojë në mënyrë sa më efikase dhe efektive, e që ndër të tjera nënkupton edhe evitimin e krijimit të vakumit institucional, pra në rastin konkret mungesën e Kryetarit dhe Nënkryetarit. Përveç tjerash, zgjedhja e Kryetarit mundëson që me ardhjen e vetëm një anëtari të ri të KPM-së të krijohet kuorumi i duhur për mbajtjen e mbledhjeve të rregullta. Në të kundërtën, duhet pritur ardhjen e dy anëtarëve të rinj, e që nga praktika e zgjedhjes së tyre mund të ketë raste me diferencë kohore disa mujore ose dhe vjetore.

Zgjedhja e Kryetarit përveç që rrit efikasitetin dhe shton kredibilitetin e KPM-së, gjithashtu shton edhe gjasat për shkurtimin e kohës kur KPM do të jetë në gjendje të ketë kuorumin e duhur për të marrë vendime.

Një praktikë e tillë e zgjedhjes së Kryetarit të ri të KPM-së para skadimit të mandatit të Kryetarit në detyrë është regjistruar edhe më herët respektivisht ri-zgjedhja e z.Adnan Merovcit me datë 09.03.2016, e që nuk ka pasur asnjë paqartësi. Kjo paraqet një historik institucional dhe precedent të ngjashëm, sa i përket funksionimit dhe punës së Komisionit”, thuhet më tej në reagim.

KPM mohon kategorikisht akuzat për një “shkarkim të papritur” të ish-kryetarit.

Sipas komisionit, procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri ka qenë transparent dhe i komunikuar me të gjithë anëtarët e komisionit.

Në fund të sqarimit, KPM shpreh shqetësim për disa raportime mediale që, sipas tyre, kanë qenë të “njëanshme” dhe të “paverifikuara”.

“Insistimi nga jashtë për të influencuar vendimmarrjen e KPM-së në drejtimin e lënies së qëllimshme vakante të pozitës së Kryetarit, përveç që është në kundërshtim me nenin 6 të Ligjit për KPM-në (Pavarësia e KPM-së), poashtu rrezikon dobësimin e KPM-së si rregullator të medieve dhe rrit gjasat që krijimi i kuorumit të domosdoshëm për marrjen e vendimeve të ketë vonesa të panevojshme dhe që me zgjedhjen e kryetarit janë evituar.

KPM-ja është e shqetësuar nga raportimet e medieve për “shkarkim” në mënyrë të paparalajmëruar dhe të befasishme të ish-Kryetarit të kaluar. Për hir të sqarimit dhe transparencës ndaj medieve dhe qytetarëve, KPM informon se çështja e zgjedhjes së Kryetarit/Nënkryterit të ri është adresuar në dhjetor 2024 dhe diskutimet kanë vazhduar gjatë gjithë muajit janar 2025 deri në mbledhjen e 17 janarit 2025. Kërkesa formale për ndryshim të rregullores është bërë me 5 janar 2025. Ish-Kryetari është dakorduar me datën 13 janar 2025 që të procedohet me zgjedhjen e Kryetarit gjatë mbledhjes, përkundër që pika e zgjedhjes së kryesisë se re nuk ishte përfshirë në agjendë siç ishte kërkuar nga shumica e anëtarëve të KPM-së.

Rrjedhimisht, raportimet e mediave për “shkarkim” të “paparalajmëruar/të befasishëm” kanë qenë lajme të paverifikuara dhe të njëanshme që në mënyrë të padrejtë e kanë akuzuar KPM-në për ndikim politik”, përfundon sqarimi i KPM-së.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika