Blerta Deliu – Kodra, nga radhët e PDK-së, ka theksuar se kryeministri Albin Kurti po bën përpjekje për të justifikuar “dështimin” e Donika Gërvallës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke e lidhur atë me çështjen gjinore.
Deliu – Kodra në Debat Plus, ka theksuar se gjatë mandatit të Gërvallës, Kosova ka pasur shumë pak suksese në politikën e jashtme dhe se aktivitetet e saj ndërkombëtare kanë qenë të paqarta, madje më të zbehta se kurrë.
“Gërvalla ka qenë njëra prej ministrave që ka pasur sukseset më të pakta, për të mos thënë nuk ka pasur fare. Festa e pavarësisë ka qenë më e zbehtë se kurrë, dhe vitet e fundit kanë shënuar përvjetorë të zbehtë”, ka deklaruar Deliu – Kodra.
Ajo gjithashtu e kritikoi Kurtin për përdorimin e një gjuhe konfrontuese për të mbrojtur ministren, duke e lidhur këtë me çështjen e sulmeve gjinore, përkundër faktit se vlerësimi i suksesit të një qeverisjeje duhet të bëhet në bazë të rezultateve të politikës së jashtme dhe përparimeve ndërkombëtare.
“Po e shoh një përpjekje të kryeministrit për të thënë se është sulmuar se ka qenë një grua e zonja dhe më e atakuar gjatë gjithë kohës. Matjet në qeverisje bëhen duke e ditur nivelin e politikes së jashtme, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, njohjet, anëtarësimet në organizata ndërkombëtare. Prandaj, po shoh një përpjekje të kryeministrit që ta lidh më çështjen gjinore, fundja ne jemi përfaqësues politik, dhe pavarësisht a jemi gra apo burra, ne duhet të ofrojmë përgjegjësinë tonë për angazhimin politik”, ka deklaruar ajo në Debat Plus.
“Viteve të fundit kanë qenë përvjetorët më të zbehtë, dhe natyrisht gjuha konfronutese te kryeministri është se kur s’kanë çfarë të flasin është kjo gjuhë që përpiqet ta justifikojë një grua se qenka atakuar për faktin se është grua dhe jo se i kanë munguar sukseset”, ka deklaruar tutje Deliu – Kodra.