Burra dhe gra – mbajeni veten!

Tash sa kohë Kosova njihet për zgjedhje të lira e demokratike. Edhe për fushata kryesisht korrekte. S’ka asnjë arsye që ditët e fundit të eskalojë gjuha e urrejtjes. S’ka asnjë arsye për kthim mbrapa

Ka një dekadë e gjysmë që zgjedhjet në Kosovë janë model për vendet tjera të rajonit dhe më gjerë. Fushata kryesisht të qeta dhe votime demokratike, me incidente të papërfillshme i kanë karakterizuar proceset zgjedhore vazhdimisht. Nuk ka asnjë arsye që të jetë ndryshe kësaj here, përtej përpjekjeve të partive politike për të goditur rivalët me gjuhë të papranueshme dhe të urrejtjes.

Qindra-mijëra euro janë gjobitur këto subjekte nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), një punë e mirë e këtij mekanizmi dhe mesazh për politikën se fushata duhet bërë ndryshe, jo me fyerje, sharje e sulme. Megjithatë, ditët e fundit të fushatës mund të eskalojnë në gjuhë të ashpër ndërmjet rivalëve politikë, në përpjekje për të përfituar sa më shumë votues.

Rasti i Skënderajt s’ka pasur arsye të ndodhë. Përtej animoziteteve dhe mosdurueshmërisë, partitë politike, kandidatët për kryeministër dhe deputetë duhet të jenë të lirë që të vizitojnë çdo vend në Kosovë, pa frikën se mund t’iu ndodhë çkadoqoftë.

Si dëshmitar i të gjitha fushatave zgjedhore dhe zgjedhjeve në Kosovë, besoj fort që ka kaluar koha e incidenteve si ato të pasluftës. Atëbotë politikanë të caktuar e kishin thuajse të ndaluar që të bënin fushatë në zona të caktuara të vendit. Situata ishte aq shpërthyese, sa që kishte edhe raste tragjike.

Beteja për partinë ishte e ashpër, mbase e kuptueshme në ato rrethana të mungesës së proceseve të lira zgjedhore dhe përvojës së demokracisë. Por, që atëherë gjërat kanë ndryshuar dhe as që mund të bëhen këso krahasimesh.

* * *

Më bën të ndihem keq kur shoh politikanë që zgjedhin ta luftojnë njëri-tjetrin me sharje e fyerje. Kjo “ofertë” vjen në pah kryesisht në mungesë argumentash. Sa e lehtë është që t’i thuash dikujt “njeri i Serbisë” e “spiun”, “hajn” e “tradhtar”. Por është e vështirë, shumë e vshtirë që t’i bindësh votuesit se e ke përnjëmend që t’i realizosh ato që i premton.

Sa e lehtë është ta nxish tjetrin, t’i thuash që nuk ke bërë asgjë, nuk di asgjë. Por duket se për politikanët kosovarë është e vështirë, shumë e vështirë që t’ia pranojnë tjetrit qoftë edhe një punë të kryer.

Tri javët e deritashme të fushatës të partive opozitare kryesisht janë karakterizuar nga diskursi se pushteti i tanishëm nuk ka bërë asgjë dhe ata do të bëjnë gjithçka, ndërsa fushata e partive në pushtet nga diskursi se kanë bërë shumë, kanë bërë gjithçka që nuk e kanë bërë të tjerët. E vërteta qëndron diku në mes dhe varet nga këndvështrimi i secilit qytetar veç e veç.

Kanë kaluar dy dekada e gjysmë që nga përfundimi i luftës. Për shumë të rinj të lindur pas luftës, ajo kohë mbetet vetëm një mësim në librat e historisë. Ata kanë nevoja të tjera dhe partitë politike duhet t’ua përmbushin. Siç duhet, natyrisht, që të kujdesen për trashëgiminë e luftës, por jo duke luajtur në të njëjtën kartë tash sa vjet.

Zgjidhjet e mira për arsim, shëndetësi, ekonomi, teknologji e ndërmarrësi do të duhej të ishin në krye të fushatave, e jo muhabete koti që nuk çojnë askund, përve֛ që shkaktojnë mllef e urrejtje. Vizioni i qartë se kah duhet të shkojë vendi do të duhej të ishte udhërrëfyes i secilës parti, e jo rrëfimet e kota të dëgjuara sa e sa herë, të cilat dikur mund të kenë qenë të rëndësishme, por që tash nuk përkojnë me kohën.

* * *

Pa marrë parasysh dënimet nga PZAP, sërish mund të dëgjojmë akuza për “njerëz të Serbisë”, “gjeneralë të vetëshpallur”, “të sëmurë psikikë” e të ngjashme si këto. Sërish do të dëgjojmë premtime surreale dhe vështirë të realizueshme. Por, burrat dhe gratë që janë pjesë e garës ose në çfarëdo forme janë pjesë e procesit zgjedhor, duhet të përmbahen nga kjo gjuhë. Tash sa kohë Kosova njihet për zgjedhje të lira e demokratike. Edhe për fushata kryesisht korrekte. S’ka asnjë arsye që ditët e fundit të eskalojë gjuha e urrejtjes. S’ka asnjë arsye për kthim mbrapa.

Të fundit nga rubrika