Gazetari Lirim Mehmetaj ka njoftuar për hapjen e mediumit të ri ‘Vox Kosova’.
Mehmetaj pas dorëheqjes nga “Albanian Post” ka thënë se ka hapur mediumin “Vox Kosova” të cilin edhe do ta udhëheq.
Ky medium sipas Mehmetaj do të jetë krejtësisht ndryshe pasi që do të jetë shumë transparent sa i përket të hyrave dhe shpenzimeve.
Gazetari Mehmetaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se përhapjen e këtij mediumi ka marrë kredi në njërën nga bankat e vendit, mirëpo pas në bankën në të cilën ai kishe aplikuar fillimisht ka thënë se iu ndalua procesi pas “ndërhyrjes direkte të pushtetit”.
Postimi i plotë:
VOX-i i Kosovës
Prejse e kam lëshu punën në AP, qatëherë në gjysmë nëntori, jam angazhuar që t’i shoh mundësitë e themelimit të një mediumi, sipas idesë e ëndrrës time.
Vështirësia më e madhe, normalisht, ka qenë në sigurimin e fondeve për investimin fillestar.
Meqë mundësi të tjera s’kam e s’kam pas, pata shiku me marrë një kredi personale.
Desha fillimisht ta marrë në bankën ku e kam pas llogarinë, aplikova, pasi më treguan se bankat e kanë një lloj kredie që jepet për Start UP-e.
Gjithçka u duk mirë në fillim, derisa mu kumtua që “jo s’bëhet”.
E mora vesh shpejt që kredia u pamundësua nga ndërhyrja direkte e pushtetit, po sa kishin marrë vesh se kush dhe për çfarë po e kërkon kredinë.
Fatmirësisht, kredinë arrita ta siguroj në një bankë tjetër.
Për ata që nuk e dinë, janë dy mënyra ligjore se si mund të mbijetojë një medium. E para, përmes të hyrave që sigurohen nga reklama duke shitur hapësirë publicitare në produkte e mediumit. E dyta, përmes të hollave që sigurohen nga sasia e shikimeve në videot që i prodhon mediumi.
Emrin ia kemi vendos VOX, që d.m.th “Zë”. E meqë VOX-a ka edhe në vende tjera, e ka edhe shtesën Kosova. Pra “VOX Kosova”.
VOX-i ka me u karakterizu nga një transparencë ekstreme e të hyrave.
Do të jetë e hapur për secilin të interesuar të shikojë, kurdo që dëshiron, se cilat janë të hyrat e mediumit, nga cilat kompani, cilat burime dhe cilat janë shpenzimet.
Gjithashtu, në momentin e parë që dikush do të mund ta dëshmojë, që në redaksi ka sjellë fakte dhe prova për cilindo politikan, të cilësdo parti politike a të cilitdo pozicion, e ne nuk i kemi bërë materiale të publikueshme ato prova, unë automatikisht do ta braktisi jo veç mediumin po edhe vetë profesionin e gazetarit.
Me shumë gjasë kjo është hera e parë që është marrë kredi me fillu një medium.
Jam krejtësisht i bindur që kualiteti i prodhimit vizual dhe cilësia gazetareske ka me qenë larg më e mira, po kjo mbetet të shihet.
E ftoj këdo që është i interesuar të na ndihmojë e të mos kursehet. Asnjë shumë s’është e vogël. Secili kontribut është i domosdoshëm.
Derisa të startojmë zyrtarisht, unë kohë pas kohë do të publikojë video të punuara nga ekipi, këtu në Facebook-un tim.
Faleminderit për përkrahjen e vazhdueshme.