Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për dhënien në shfrytëzim të një hapësirë prej 100 hektarësh, pronë e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes, për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në zonën e Batllavës.
Koloneli në pension i FSK-së, Afrim Veseli, duke folur për këtë zhvillim në emisionin FIVE në Dukagjin, theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake në atë zonë.
Ai rikujtoi gjithashtu rëndësinë historike të kësaj zone gjatë luftës së vitit 1999, teksa ka theksuar se prania e FSK-së në këtë rajon do të shtojë sigurinë për liqenin e Batllavës.
“Sigurisht do të ngritet një bazë ushtarake atje… Është e rëndësishme që FSK-ja do të jetë prezente atje, do të jetë afër kufirit. Dhe për banorët e të dy regjioneve (Llapit dhe Gollakut) ka domethënie shumë të madhe të sigurisë. Sepse e dimë që në ‘99-tën se çfarë kanë bërë trupat serbe gjatë luftës dhe gjatë tërheqjes së tyre nga ajo pjesë e territorit.
Është territor shumë i rëndësishëm dhe ka vlerë dyfish më të madhe se aty është edhe liqeni i Batllavës, dhe e shton sigurinë për liqenin për rrezikun e ndonjë kabotazhi, diçka të ngjashme sikurse ndodhi në kanalin e Ibër-Lepencit”, ka thënë Veseli në një lidhje direkte në FIVE.