Miroslav Lajçak këtë të premte përfundoi mandatin e tij si emisar i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi.
Ai do të zëvendësohet prej diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen.
Megjithatë, Lajçak vetëm një ditë më parë, realizoi një takim lamtumirës me deputetët e Parlamentit Evropian në Komisionin për Politikë të Jashtme.
Sipas burimeve të Radio Evropa e Lirë, shumica e eurodeputetëve kanë qenë kritikë ndaj mënyrës se si BE-ja u është qasur palëve në dialog.
Veçmas me masat ndëshkuese që janë vendosur ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë nuk ka pasur masa ndaj Serbisë, sidomos pas sulmit të armatosur në Banjskë më 2023, që kanë ndikuar negativisht në dialogun e ndërmjetuar nga BE-ja.
Analisti politik Afrim Kasolli thotë që megjithëse Lajçak arriti dy marrëveshje, ai nuk e çoi deri në fund këtë.
“Këto marrëveshje nuk janë zbatuar për arsyeje të ndryshme që dihen, dhe puna në zbatim të tyre mund të konsiderohet i dështuar në rolin i tij”, ka thënë Kasolli.
Por, Lajçak u konsiderua i anshëm në dialog, pretendime të cilave iu jep të drejtë analisti politik Albinot Maloku.
“Kjo ka ardhur edhe si pasoj edhe që vet Bashkimi Europian, nuk e ka pas një vizion të qartë se çka dëshiron të arrijë nga dialogu”, ka thënë Maloku.
Diplomati danez Sorensen nga të dy konsiderohet si një njohës i mirë i rajonit dhe përparësi e tij cilësohet prejardhja e tij, që sipas tyre nuk do të paragjykoj statusin e Kosovës ashtu siç besojnë se ka bërë diplomati sllovak, Lajçak, shteti i të cilit nuk e njeh pavarësinë e vendit.