Vlora Çitaku, Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike (PDK), ka thënë se PDK që në fillim të fushatës ka bërë thirrje për një fushatë të qetë pa kacafytje e pa gjuhë diskriminuese e ofenduese.
Por, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar me çdo kusht në përplasje, në polarizim, në fyerje e ofendim.
‘’Nuk po flas për gjuhën që në vazhdimësi e kanë përdorur militantët, po flas për gjuhën që e kanë përdorur vet eksponentët e lartë të Vetëvendosjes’’, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se PDK dhe Hamza refuzojnë që të merren me gjuhën polarizuese.
Sa i përket ngjarjes në Skenderaj ku është penguar tubimi i Lëvizjes Vetëvendosje, Çitaku ka thënë se nuk ka qenë organizim i PDK-së për të penguar, por kanë qenë disa qytetar të pakënaqur me Kurtin dhe qeverisjen e tij duke shtuar se PDK atë ditë e ka pasur të suspenduar aktivitetin e saj për shkak të një aksidenti trafiku të ndodhur një ditë më parë ku kanë humbur jetën tre qytetarë.
Çitaku ka thënë se në mungesë të ofertës programore Vetëvendosje po insiston të kacafytet me PDK-në.
‘’Lëvizja Vetëvendosje po insiston që të kacafytet me ne mirëpo ne nuk do të ja japim këtë knaqësi’’, ka thënë ajo.
Zyrtarja e PDK-së ka thënë se Vetëvendosje nuk ka hy në fushatë me plan por me kërkesë.
‘’Kemi një parti politike që ka hyrë në garë zgjedhore jo me plan konkret, jo me ofertë, jo me një bilanc të punëve të kryera, ka hyrë në zgjedhje me një kërkesë, 500 mijë vota, d.m.th. një shpërfaqje brutale e arrogancës’’, është shprehur ajo në emisionin ‘Debat Plus’ në RTV Dukagjini.