Zhurma e madhe që u bë për tërheqjen e 30% të kursimeve nga Trusti, përfundoi të enjten me mosmiratim të këtij Projektligji në Kuvend.
Ata që e proceduan në legjislativ nismën po shprehen të zhgënjyer. Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK), kritikon pushtetin që sipas tij as këtë herë nuk veproi në përputhje me nevojat e qytetarëve.
“Konsideroj që ishte një lajm i keq për qytetarët e Republikës së Kosovës. Deputetët e mazhorancës, nuk janë aty për ti mbrojtur interesat e qytetarëve por janë për të kryer punën që ju thotë kryeministri Kurti i cili nuk po ka vizion të dalë nga situata E RËNDË EKONOMIKE që e ka kapluar vendin”, ka thënë Beqa.
Megjithatë, Beqa thotë se qytetarët mund të mbledhin 10 mijë nënshkrime, që kjo nismë të procedohet edhe një herë në Kuvend.
E një gjë të tillë do ta bëjnë qytetarët e Kosovës që nuk kanë hequr dorë nga kjo kërkesë e tyre.
“Duhet me i liru qytetarët me i marrë pjetët e trustit, sepse paret e trustit nuk janë të trustit por të vetë qytetarëve. Në rast se miratohet nuk pra më i marrë, të gjithë i marrin vetëm ata ë kanë nevojë”, ka deklaruar një qytetarë i Kosovës.
“Kam qenë pro për me u bë tërheqja e trustit por në pajtim me të gjitha partitë politike. Nëse na vjen në dorë peticioni do ta nënshkruajmë”, ka thënë një qytetarë.
E këtë peticion po e përgatisin grupi që edhe kishte organizuar protestën për lejimin e tërheqjes së trustit.
“Unë bashkë me anëtarët e tjerë të grupit pro tërheqjes së 30 përqindëshit të Trustit, do ti mbledhim rreth 10 mijë nënshkrime nëpër të gjitha qytetet e Kosovës dhe do ja dërgojmë Kuvendit ta ri procedojë çështjen e tërheqjes së Trustit”, ka deklaruar Adnan Jashari
Megjithëse mund të ndihmojë përkohësisht, ekonomisti Egzon Kastrati vlerëson se një gjë e tillë do t’i bënte dëm ekonomisë së vendit.
Kuvendi i Kosovës nuk e kishte miratuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës, për tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional.
Me 44 vota për, 57 kundër dhe vetëm një abstenim projektligji për Trustin nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në lexim të parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.