Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën ka marrë pjesë në Drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare në Capitol Hill dhe foli në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë në Uashington.
Ajo ka theksuar angazhimin e Kosovës për të luftuar ndikimet malinje të Kinës, Rusisë dhe Iranit, duke vlerësuar partneritetin e ngushtë me SHBA-në.
“Në Drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare, Presidentja ishte e ftuar përkrah Mbretit dhe Mbretëreshës së Burundit, kryeministrit të Fixhit, si dhe kongresistëve amerikanë, ministrave e deputetëve të shumtë nga mbarë bota. Me këtë rast, ajo pati mundësi të diskutoj me ta për thellimin e raporteve bilaterale”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.
Osmani ka potencuar rëndësinë e investimeve amerikane për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe angazhimin për pavarësinë energjetike të vendit.
“Investimi dhe angazhimi amerikan në Kosovë, përveç se është në dobi të sigurisë dhe zhvillimit tonë, është po ashtu në përputhje me objektivat e Administratës Trump. Kjo do të pengonte po ashtu përhapjen e luftës hibride ruse, ndikimin ideologjik të Iranit dhe presionin ekonomik të Kinës në rajon. Kosova është një aleat i palëkundur që forcon ndikimin e SHBA-së në Evropë dhe Ballkan”, ka theksuar Osmani.
Sipas presidentes Osmani Kosova është një aset strategjik për SHBA-të në përballjen me ndikimet destabilizuese në Evropë dhe mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj interesave strategjike të Shteteve të Bashkuara.