Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, njëherësh edhe kandidat për deputet nga Koalicioni për Kosovën Fituese, ka komentuar lidhur me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se këto raporte janë aktualisht të ftohura dhe se ka një “padegjushmëri të panevojshme dhe të paarsyeshme”.
Ramosaj ka shtuar se rikuperimi dhe forcimi i këtyre raporteve janë detyra urgjente për të gjitha institucionet dhe liderët politik.
“Jemi dëshmitar të kohës se këto raporte janë të ftohura. Një farë padegjushmerinë e panevojshme, e paarsyeshme.
Po jetojmë në këtë realitet që nuk ish dashtë jetojmë. Dhe uroj që sa më shpejt të kemi një qasje më pozitive dhe një kahje më pozitive.
Unë besoj që është detyrim t’i rikuperojmë këto marrëdhënie. Dhe po ashtu me i forcu këto raporte. Për arsye se nuk jemi subjekt juridik ndërkombëtare ende. Nuk jemi njohur nga 5 shtet mos njohëse të BE-së. Nuk jemi të anëtarësuar në pjesën dërrmuese të mekanizmave ndërkombëtar”, thënë Ramosaj në FIVE të Dukagjinit.
Në këtë kontekst, Ramosaj ka shprehur besimin e tij te kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, duke thënë se ai ka kapacitetin dhe fuqinë për të rikuperuar marrëdhëniet me SHBA-të,
“Dhe besoj që zoti Haradinaj e ka këtë fuqi, e ka këtë kapacitet për shkak edhe të kaluarës, edhe për shkak të standardit që e ka krijuar në raportin e besueshmërisë me aleatët. Dhe respektin që e kanë personalisht me të. Dhe uroj që edh zoti Haradinaj edhe ndonjë figurë tjetër politike duhet të punojë për rikuperim e këtyre marrëdhënieve”, ka shtuar Ramosaj.