Deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Jahja Kokaj, i është hakuar llogaria e tij zyrtare në Facebook, ndërsa i kanë kërkuar një shumë parash për t’ia rikthyer.
Policia e ka konfirmuar rastin, duke thënë se janë njoftuar mbrëmjen e së premtes rreth orës 20:30, për veprën që ata e cilësojnë si “Hyrje në sistemin kompjuterik”.
“Rr. Ismail Koci, Gjakovë 24.06.2022-20:30, Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të dyshuar të panjohur i kanë bllokuar llogarinë e tij në rrjetet sociale si dhe kanë kërkuar nga ai një shumë parash”, thuhet në njoftim.
Edhe i biri i deputetit, Jahja Kokaj, Agon Kokaj përmes rrjetit të tij social në Facebook, ka njoftuar se llogaria e babait të tij është hakuar.
“Zonja dhe zotërinj, dua t’ju njoftoj se Dr. Jahja Kokaj, llogaria e tij në Facebook është hakuar nga dikush, prandaj nëse merrni ndonjë mesazh nuk janë të tij”, ka shkruar ai.
Sipas raportit të Policisë, deri më tani nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.