Të shtunën e 25 qershorit, Asociacioni i Komunave të Kosovës(AKK) në mbledhjen e Bordit ka vendosur që të nisë procedurën për të paditur Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit(MAShTI) dhe Ministrinë e Shëndetësisë(MSh) për nënshkrimin e Kontratave Kolektive për arsim dhe shëndetësi pa konsultim e dakordim me komuna, derisa zbatimi i tyre u tha se po bëhet në dëm të buxheteve komunale.
Bordi ka ritheksuar se AKK nuk është kundër kontratave kolektive, por është kundër zbatimit të tyre në formën e deritashme, duke ua marrë mjetet financiare komunave kur palë nënshkruese janë institucionet qendrore.
Sipas njoftimit, këto dy kontrata janë nënshkruar pa asnjë konsultim paraprak me komunat, pa vlerësim të ndikimit buxhetor, pa dakordim me komunat dhe pa dijeninë e komunave, derisa obligimet financiare të tyre kanë rënë tërësisht mbi komunat dhe buxhetet e tyre.
“Në kontratat e nënshkruara thuhet se Qeveria do të planifikojë buxhet, por që deri më tani asnjëherë as nuk ka planifikuar e as nuk ka ndarë buxhet për zbatimin e tërësishëm të këtyre dy Kontratave”, thuhet më tutje.
Sipas njoftimit, Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes përfaqësuesve të saj në Komisionin e Granteve Komunale, edhe këtë vit ka kërkuar nga Qeveria që të planifikohet dhe të ndahet buxhet për zbatimin e këtyre kontratave, por edhe këtë herë kjo kërkesë e AKK-së është refuzuar.
“Komunat edhe pse nuk janë nënshkruese të Kontratave Kolektive po obligohen të mbulojnë shpenzimet dhe borxhet që janë krijuar nga nënshkrimi i këtyre Kontratave duke iu krijuar Komunave shpenzime të mëdha, përfshirë edhe shpenzimet e procedurave gjyqësore/përmbarimore.
Në anën tjetër, Komunat nuk po kanë përkrahje buxhetore për shlyerjen e këtyre obligimeve dhe si pasojë e neglizhencës së kërkesave të Komunave ndaj Qeverisë, Zyra Kombëtare e Auditimit me rastin e hartimit të raporteve të auditimit po konstaton që komunat po bëjnë keqklasifikim të shpenzimeve buxhetore”, thuhet më tutje.
Me këtë rast, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, autorizon Drejtorin Ekzekutiv të AKK-së, Sazan Ibrahimi, për procedim të mëtutjeshëm të kësaj padie, e që sipas tyre, do të jetë Padi Detyrimi.