Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në kuadër të vizitës në Tajlandë, është mbajtur tryeza e karakterit ekonomik e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Diplomatik, Odën Ekonomike Tajlandeze dhe Bordin e Tregtisë së Tajlandës që ka 115 mijë e 417 anëtarë dhe përfaqëson mijëra biznese.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në këtë tryezë është diskutuar për mundësitë e tërheqjes së investitorëve nga ky shtet, si dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare në mes të të dyja vendeve.
Në këtë tryezë, prezente ishin biznese e shoqata nga Tajlanda, në mesin e të cilave, disa nga kompanitë më të suksesshme aziatike në fushën e energjisë, ICT, tekstilit, arsimit e turizmit.
Gjatë vizitës, delegacionit iu bashkua edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, i cili bëri prezentimin për potencialin ekonomik të Kosovës para bizneseve tajlandeze.
E para e vendit, të premten e 24 qershorit, ka udhëtuar për në Tajlandë, ku edhe është takuar me kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha, me të cilin kanë diskutuar rreth gatishmërisë së dyanshme për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët të të dyja vendeve.
Pas vizitës në Tajlandë, Osmani do ta vazhdojë vizitën në Singapor, ku pritet të takohet me homologen e saj, presidenten Halimah Yacob, kryetarin e Parlamentit, Tan Chuan-Jin, ministren e Lartë të Shtetit për Zhvillim Kombëtar dhe Punë të Jashtme, Sim Ann dhe me ministrin e Lartë të Shtetit, Mohamad Maliki Bin Osman.
Sipas njoftimit të Presidencës, kjo është vizita e parë e një kreu të shtetit të Kosovës në këto dy shtete të Azisë Juglindore.