Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërcënuar të martën se vendi i tij do të tërhiqet nga marrëveshja për armëpushim në Rripin e Gazës dhe do ta rifillojë luftën kundër Hamasit, nëse grupi i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja nuk i lirohen grupin e radhës së pengjeve të shtunën.
Hamasi tha të hënën dhe e përsëriti të martën se synon ta shtyjë lirimin e tri pengjeve të tjera, duke e akuzuar Izraelin se nuk i ka plotësuar kushtet e armëpushimit.
Sipas Hamasit, Izraeli nuk ka lejuar futjen e më shumë tendave dhe ndihmave të tjera humanitare në Gazë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka inkurajuar Izraelin të kërkojë lirimin e edhe më shumë pengjeve të shtunën. Megjithatë, nuk është e qartë nëse kërcënimi i Netanyahut i referohej lirimit të të gjitha pengjeve të mbetur në Gazë, apo vetëm të tri pengjeve të planifikuara për t’u liruar të shtunën.
Më herët të martën, një zyrtar izraelit tha se Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë të dërgojë më shumë trupa brenda dhe rreth Rripit të Gazës.
Netanyahu gjithashtu urdhëroi zyrtarët “të përgatiten për çdo skenar, nëse Hamas nuk i liron pengjet tona këtë të shtunë”, sipas zyrtarit, i cili foli në kushte anonimiteti, raporton Associated Press.
Deri tani, Hamasi i ka liruar 21 pengje në një varg shkëmbimesh për qindra të burgosur palestinezë.
Presidenti Trump ka thënë se Izraeli duhet ta anulojë tërësisht armëpushimin nëse të gjitha 70 pengjet e mbetura nuk lirohen deri të shtunën. Hamas e hodhi poshtë kërcënimin e tij të martën, duke e përforcuar pretendimin se Izraeli ka shkelur armëpushimin dhe paralajmëroi se do të vazhdojë t’i lirojë pengje vetëm nëse të gjitha palët i përmbahen armëpushimit.
Gjatë fazës së parë gjashtëjavore të armëpushimit, Hamas u zotua se do t’i lirojë 33 pengje të kapura gjatë sulmit që e kreu në Izrael më 7 tetorit 2023, ndërsa Izraeli tha se do t’i lirojë gati 2.000 të burgosur palestinezë. Palët kanë kryer pesë shkëmbime që nga 19 janari.
Lufta mund të rifillojë në fillim të marsit nëse nuk arrihet një marrëveshje për fazën e dytë dhe më të ndërlikuar të armëpushimit, e cila kërkon kthimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe një zgjatje të pacaktuar të armëpushimit.
Por, nëse Izraeli rifillon luftën, ai do të përballet me një fushëbeteje krejtësisht ndryshe.
Pasi i detyroi qindra mijëra palestinezë të zhvendoseshin në jug të Gazës në fillim të luftës, Izraeli lejoi shumë nga këta të zhvendosur të ktheheshin në atë që ka mbetur nga shtëpitë e tyre, duke paraqitur një sfidë të re për aftësinë e tij për të lëvizur trupat tokësore nëpër territorin e dendur./Radio Evropa e Lirë