Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Munich-it.
Osmani ka thënë se me Sørensen përveç zhvillimeve në vend ka biseduar edhe për pritshmeritë nga dialogu i Brukselit dhe përkushtimin e Kosovës që të përmbyllet ky proces me njohje të ndërsjellë.

“Në takimin tim të parë me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen, diskutuam mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.
Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani në takim me Berset diskutojnë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës
Osmani gjithashtu është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të KE-së, Alain Berset, ku kanë diskutuar për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë.
Ajo ka thënë se në takim me Berset kanë biseduar edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rrugën e Kosovës për anëtarësim në KE.

“Një takim i frytshëm me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, ku diskutuam mbi zhvillimet e fundit dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë”.
“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përbënte një fitore jo vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe për vetë Evropën dhe vlerat e saj themelore”, ka shkruar Osmasni në Facebook.
