Emisari për Misione të Posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, këtë të hënë, ka uruar qytetarët e Kosovës për Ditën e Pavarësisë më 17 shkurt.
Ai ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili ndodhet i burgosur në Hagë.
Në një postim në rrjetin social X, Grenell ka theksuar se Thaçi, si “ati themeltar i shtetësisë së Kosovës,” duhej të ishte duke festuar këtë ditë të rëndësishme për vendin, jo duke qëndruar pas hekurave.
“I uroj të gjithë miqve të mi në Kosovë një festë të gëzueshme dhe të sigurt në 17 vjetorin e pavarësisë së tyre. Megjithatë, ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e rëndë. Baba themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë”, ka shkruar ai.
Ai ka kritikuar Bashkimin Evropian për dështimin e tij për të vepruar kundër kësaj padrejtësie dhe ka akuzuar institucionet e Kosovës për dështimin në marrjen e veprimeve të nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie.
Grenell ka bërë thirrje që ky akt i padrejtë të marrë fund sa më shpejt dhe të kthehet drejtësia për ish-presidentin Thaçi.