Emisari për Misione të Posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, këtë të hënë, ka uruar qytetarët e Kosovës për Ditën e Pavarësisë më 17 shkurt. Ai ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili ndodhet i burgosur në Hagë.
Shkodran Ramadani, analist politik ka thënë se deklaratat e Richard Grenellit ndaj procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi është “lajm i mirë” dhe “mund të ketë” ndikim edhe në komplet procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së.
“Dihet mirë historia e Grenellit me Gjykatën e Hagës. Deklarimet e kaluara të Grenellit nuk kanë qenë thjesht bllof , por po shihet se cicërimet e tij se ka qenë vizion i tij politik, i cili më furishëm dhe më seriozisht me administratën Trump 2. Deklarimet e tij vijnë si njëri nga të deleguarit special, person më i fuqishëm i Trumpit për misione speciale e gjetiu. Përplasja e kahershme me Jack Smith ka marrë edhe përmasa të reja, institucionale. Nuk është plan anti gjykatë, por është plan që interferon në punët e Gjykatës.
Mund të jetë lajm i mirë, pasi emri i Thaçit po përmendet ekskluzivisht nga Grenell. Dhe mund të ketë sigurisht ndikim në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë”, tha Ramadani në emisionin “Five” të Dukagjinit.
Melazim Koci, politolog tha se deklaratat e Grenellit mund të prodhojnë efekte ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.
“Mund të prodhojë efekte sepse kemi të bëjmë me një zyrtar shumë të afërt me presidentin, Trump. Dhe nuk është hera e parë që apostrafon, ështa e 2-3 që apostrofon këtë çështje. E habitshme brenda një muaji, Grenell apostrofon dy herë çështjen e Thaçit, ndërkaq nuk ka një zyrtar të BE-së, ta ketë thënë 1herë. Kjo nënkupton se ka mospajtime në raportet Washington-Bruksel. Një zyrtar amerikan deklarohet hapur se kemi të bëjmë me një gjykim të padrejtë dhe ajo padrejtësi nuk shkon vetëm ndaj ish krerëve të UÇK-së”, tha Koci.
Koci u shpreh se arrestimi i Hashim Thaçit ka qenë “ndërhyrje politike” dhe në fund të Administratës Trump 1.