Senati konfirmon Kash Patel në postin e drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve

Senati amerikan konfirmoi të enjten Kash Patel në postin e drejtorit të FBI-së, duke e vënë atë në krye të agjencisë federale të zbatimit të ligjit, pavarësisht dyshimeve të ligjvënësve demokratë lidhur me kualifikimin e tij.

“Nuk mund të imagjinoj një zgjedhje më të keqe”, tha ligjvënësi demokrat Dick Durbin para votimit 51-49 në Senatin e kontrolluar nga republikanët.

Senatoret Susan Collins e shtetit Maine dhe Lisa Murkowski e Alaskës, ishin republikanët e vetëm që votuan kundër të emëruarit të Presidentit Trump për postin e drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve.

Një përkrahës i zjarrtë i republikanit Trump, zoti Patel ka qenë një kritik i ashpër i agjencisë që do të drejtojë. Departamenti i Drejtësisë ka larguar nga FBI-ja një grup zyrtarësh të lartë ndërsa ka bërë një kërkesë të pazakontë për emrat e të gjithë punonjësve që hetuan trazirat e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit amerikan.

Zoti Patel ka shprehur synimet për të bërë ndryshime rrënjësore në FBI, duke ulur numrin e punonjësve në zyrat qendrore të agjencisë dhe kthimin tek misioni tradicional për luftimin e krimit në vend të mbledhjes së të dhënave sekrete dhe çështjet e sigurisë kombëtare, që kanë përcaktuar mandatin e saj gjatë dy dekadave të fundit.

Zoti Patel u ka bërë jehonë dëshirave të Presidentit Trump për hakmarrje. Përpara se të emërohej ai kishte thënë se do të “ndiqte konspiratorët” kundër Trumpit në qeverinë federale dhe në media, çka ngriti alarmin mes demokratëve.

Për vite me radhë republikanët kanë shprehur zemërimin e tyre me agjencitë e zbatimit të ligjit, duke i akuzuar për njëanshmëri kundër konservatorëve gjatë administratës së Presidentit Biden si dhe për hetimet ndaj republikanit Trump. Republikanët siguruan konfirmimin e zotit Patel duke thënë se është njeriu i duhur për këtë post.

“Zoti Patel dëshiron ta bëjë FBI-në të përgjegjshme edhe një herë. Të rifitojë reputacionin që FBI-ja ka pasur historikisht për zbatimin e ligjit”, tha Senatori Chuck Grassley, republikan i shtetit Ajova i cili kryeson Komisionin e Senatit për Gjyqësorin, përpara konfirmimit të zotit Patel.

Drejtori i FBI-së ka një mandat 10-vjeçar, si një mënyrë izolimi nga ndikimi politik në mënyrë që të mos bëhet borxhli ndaj një presidenti apo administrate të caktuar.

Presidenti Trump e emëroi zotin Patel në muajin nëntor për të zëvendësuar zotin Christopher Wray, i cili u emëruar nga Presidenti Trump në vitin 2017 dhe shërbeu në postin e drejtorit për më shumë se shtatë vjet. Ai dha dorëheqjen përpara se zoti Trump të merrte detyrën.

Shija e redaktorit

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

“Debat Plus” prinë bindshëm, pakontestueshëm emisioni më i shikuar politik...

Mbi 15 mijë respodent i janë përgjigjur Exit Poll të realizuar nga UBO Consulting e të porositur nga Televizioni Dukagjini. Saktësia e këtij “Exit...

Të fundit nga rubrika