Katër persona janë arrestuar të dielën pas një sulmi vdekjeprurës me thikë në Francën lindore, të cilin autoritetet e lidhën me ekstremizmin islamik, sipas zyrës së prokurorisë kombëtare kundër terrorizmit.
Një portugez është vrarë në sulmin e së shtunës në qytetin Mulhouse, pranë kufirit me Gjermaninë, raporton AP.
Shtatë oficerë policie janë plagosur, teksa një prej tyre është shtruar në spital me lëndime të rënda, sipas zyrës së prokurorit.
Të arrestuarit përfshijnë sulmuesin e dyshuar, një algjerian 37-vjeçar i identifikuar nga prokurorët si Brahim A.
Ministri i Brendshëm e ka përshkruar atë si një ekstremist islamik me një profil skizofrenik. Dy nga anëtarët e familjes së të dyshuarit dhe një person që e ka paraqitur atë janë arrestuar gjithashtu, ka thënë zyra e prokurorit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se qeveria do t’i përgjigjet sulmit, për të cilin ai fajësoi “terrorizmin islamist”. Franca ka qenë në gatishmëri të lartë për kërcënimet ekstremiste.
Prokurori ka bërë të ditur se i dyshuari ka thënë në mënyrë të përsëritur “Allahu akbar” – “Zoti është i madh” në arabisht, gjatë sulmit. Ai ishte i armatosur me një thikë dhe një kaçavidë.