Frank Wisner, ish-përfaqësuesi special për Kosovën në administratën e presidentit amerikan George W.Bush, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.
Siç raportohet, Wisner ka vdekur të hënën në shtëpinë e tij në Mill Neck, në Long Island, raportoi “The New York Times”.
Sipas familjarëve, Wisner së fundmi është përballur me kancer në mushkëri..
Wisner ka punuar si ambasador në katër vende dhe ishte emisar i SHBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës.
Në një intervistë dhënë “Interaktivit” të KTV-së në vitin 2022, Wisner pati thënë se përgjatë këtyre vjetëve që nga Pavarësia e Kosovës, nuk ka për të shtuar asgjë përveçse kënaqësisë për atë se çka kanë arritur kosovarët dhe Kosova.
“Unë besoj se ju keni një demokraci vibrante, me media të lira, sundimi i shtetit ligjor në mënyrë të vendosur po zbatohet. Ua heq kapelën të gjithëve për këtë. Më shumë vëmendje në ekonomi do të ishte e mirëseardhur, por ju keni ndërtuar një shtet funksional të respektueshëm. Dhe do të dëshiroja të thosha të njëjtat gjëra për Serbinë, por që mendoj se është zhytur në të kaluarën, duke mos pasur vullnet të pranojë se faqja e historisë është ndërruar, dhe se nuk ka kthim të statu-quo-së ku ishte, e kur Kosova ishte pjesë e Serbisë”, pati thënë ai.