Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar të hënën një rezolutë që konfirmon mbështetjen për Ukrainën dhe integritetin e saj territorial. Ishin dy versione në asamble – një nga Amerika dhe një i përgatitur nga Ukraina dhe aleatët evropianë. Serbia ka abstenuar gjatë votimit të rezolutës së parë dhe e përkrahu të dytën. E pas votimit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar falje.
Vuçiqi ka thënë të hënën në mbrëmje se beson që Serbia ka gabuar kur ka votuar për rezolutën evropiane në OKB, duke thënë se është dashur të abstenohet.
“Mendoj se Serbia ka gabuar. U kërkoj falje qytetarëve dhe e marr përgjegjësinë vet, sepse mendoj se jam i lodhur dhe i ngarkuar, dhe nuk mund të bëj gjithçka”, ka thënë ai për televizionin “Happy”, transmeton N1.
Vuçiqi ka shtuar duke thënë se Serbia abstenoi ndaj propozimit amerikan dhe “votoi siç duhet”. Sipas tij, abstenim do të duhej të ishte edhe për rezolutën evropiane.
“Dhe siç po e shihni, po e them në një moment kur është e qartë se do të humbë poenë politikë në Bashkimin Evropian për shkak të kësaj. Dhe besoj që Serbia është dashur të përmbahej. E fajësoj veç veten, nuk jam marrë me të sa duhet”, ka thënë Vuçiqi.
Ai ka thënë se Serbia “është përballur me situatën më të vështirë të mundshme” në tri vjetët e luftës në Ukrainë, pas mosvënies së sanksioneve ndaj Rusisë, duke shtuar se qëndrimi i Serbisë “nuk përmbyset as me një, dy apo tri rezoluta”.
Të hënën, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën dhe integritetin e saj territorial, në trevjetorin e nisjes së pushtimit rus.
SHBA-ja dështoi ta bindë Asamblenë e OKB-së ta miratojë rezolutën e vet që kërkonte fundin e luftës, pa përmendur agresionin rus apo integritetin territorial të shtetit të sulmuar.
Rezoluta e propozuar nga Ukraina dhe aleatët e saj evropianë mori 93 vota pro, 18 kundër (në mesin e tyre SHBA-së dhe të Rusisë) dhe 65 abstenime.