Ismet Tara mohoi të ketë deklaruar për UNMIK-un se UÇK-ja ka vrarë kolaboracionistët dhe të burgosurit e tyre.
Madje, Tara u nervozua në Hagë duke i kërkuar avokatit të Veselit, Rodney Dixon që t’ia largojë dokumentin me arsyetimin se nuk mund ta shoh.
“Ismet Tara nuk ka asnjë dëshmi që dikush është vrarë… nuk i ka ndodhur Ismet Tarës që të japë dëshmi të rreme atëherë. Hiqma këtë dokument se nuk mund ta shoh më, nuk mund ta shoh më. Ti mund të bësh pyetje sa dush, por kur i dedikohesh këtij dokumenti… unë po them që as nuk i kam dhënë as nuk e kam takuar. Ti prap ‘a mund të jetë ajo e saktë, a mund të mos jetë’. Por duhet të vijë ajo ta pyesh atë a ka qenë e saktë a jo”, tha Tara.
Fillimisht, nga avokati i Veselit, Rodney Dixon dëshmitari u pyet se a ka marrë ndonjëherë urdhër nga nivelet më të larta, siç janë zonat dhe Shtabi i Përgjithshëm për të arrestuar dhe vrarë kolaboracionist.
“Kurrë, asnjëherë”, tha Tara.
Ai mohoi se i ka thënë UNMIK-ut se UÇK-ja i ka rrëmbyer kolaboracionistët, i ka vrarë në vend ose ndonjëherë ua ka djegur trupat dhe i ka lënë që të ua hanë egërsirat.
“Jo që kam thënë, por as që jam pyetur”, tha ai.
Gjithashtu, mohoi se ka thënë që UÇK-ja i ka vrarë të gjithë të burgosurit që kishte ndaluar.
“As që i ka vrarë të gjithë, e as që i ka vrarë asnjërin, unë se di”, tha ai.
Dëshmitari përsëriti edhe njëherë që nuk është takuar me Ana Vanozin (nga UNMIK) për të dhënë dëshmi dhe se një dëshmi të tillë nuk e ka dhënë ndonjëherë.
Me kaq mbaruan pyetjet e Dixon për dëshmitarin, për të vazhduar më pas me pyetjet e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, avokatit Aiden Ellis.
Ai sërish theksoi se nuk është takuar me Ana Vanozin për të diskutuar për gjërat që u përmendën më lartë.
“Në qoftëse ajo më njeh mua, unë nk e njoh. Kurrë nuk e kam parë”, tha Tara.
Tara: Në UÇK gjithkush e ka përgjegjësinë për veprimet e veta
Dëshmitari Ismet Tara tha se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjithkush e ka përgjegjësinë për vete dhe se komandantët nuk kanë përgjegjësi mbi veprimet e ushtarëve dhe as anasjelltas.
“Përgjegjësi në UÇK çdo kush përgjigjet për veten e vet çka ka bërë ose në qoftë se e dëshmon me një urdhër të dikujt që e ka urdhëruar ose që dëshmon krejt komplet saktë që ai ka marrë urdhër. Përndyrshe s’ka përgjegjësi te UÇK-ja as komandanti për ushtarë e as ushtarët për komandant”, tha Tara duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Kadri Veselit, Rodney Dixon.
Ai tha se askush nuk mund të jetë përgjegjës për atë që ka mundur të ndodhë në ndonjërin prej shtabeve, përveç shtabeve përkatëse.
“Gjatë Shtabit ‘Arti’ të Rahovecit, unë nuk jam njoftuar që Shtabi “Arti” i Rahovecit ka marrë ndonjë urdhër prej dikujt pa marrë parasysh prej kujt. Nga asnjë shtab tjetër se a të bëhet kjo ose të mos bëhet kjo, ose të veprohet kështu ose ashtu. Asnjë urdhër zyrtar nuk më kanë treguar komandantët e mi që kanë marrë diçka që duhet bërë diçka. Kemi bërë çdokush si kemi ditur më të mirën për qytetarët e vet dhe tash nuk e di që tjetër shtab të jetë përgjegjës për atë që ka ndodhur në Rahovec ose për atë që ka ndodhur në Krushë ose për atë që ka ndodhur në Drenoc se nuk ka mundur të imponohet në atë kohë derisa unë mas vitit të rifillimit të brigadave askush kurrkujt llogari s’i ka dhënë dhe nuk ka përgjegjësi mbi të tjerët”, tha Tara.
Dëshmitari u pyet se a ka dijeni për zhdukjen e pesë serbëve në Rahovec në qershor-korrik 1999, por një gjë të tillë ai e mohoi.
Më pas, Tara u pyet sa herë ka ndodhur që familjarët e personave të zhdukur të shkojnë të kërkojnë informacion për pjesëtarët e tyre.
“Përveç familjes Dediq që ka kontaktuar 5-6 herë me mua dhe me këtë të UNMIK-ut të cilin në fund e kam detyru që të ma sjellë nënën e tij, Ajshen të ma sjellë në prezencën time, në komandën time dhe pastaj aty i kemi sqaru. Kemi diskutu gjer e gjatë dhe të tjerët nuk ka ardhë kurrkush te unë”, tha ai.
Veç kësaj, dëshmitari tha se ka mundësi që shumica e serbëve kanë shfrytëzuar rrugë tjera për të kërkuar të afërmit e tyre përveç se për të adresuar shqetësimin e tyre te UÇK-ja.
“Unë zoti avokat ndoshta edhe shumica nuk kanë dashur që të vijnë tek ne, tek UÇK-ja. Ndoshta kanë shkuar të japin deklarata në UNMIK- KFOR ose edhe në OSBE se nuk ka qenë bash e lehtë që të vijnë atë”, tha ai.
Dëshmitari Tara mohoi se ka pasur kaos në qershor të 1999-ësm por ai shtoi se ka pasur më shumë popullsi të ardhur sesa që ka pasur kapacitet qyteti t’i përballojë.
Ai tha fjalën ‘kaos’ e kupton kur përshkruhet diçka e rrezikshme dhe jashtë normales, duke përfshirë vrasjet.