Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka planifikuar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë të premte, për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump, për të diskutuar një marrëveshje për burimet minerale.
Sipas dy burimeve të njohura me këtë çështje, Reuters shkruan se marrëveshja për mineralet është një hap kyç për Ukrainën për të siguruar mbështetje më të madhe nga SHBA, ndërkohë që Trump është i interesuar për një përfundim të shpejtë të luftës me Rusinë.
Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë në lidhje me këtë takimin, por burimet pohuan se Shtëpia e Bardhë ka sugjeruar vizitën, e cila ka të ngjarë të ndodhë pas një marrëveshjeje të arritur midis zyrtarëve të dy vendeve. Marrëveshja mund të hapë mundësi për pasuritë minerale të Ukrainës, duke mundësuar që SHBA të përfitojë pasuri të mëdha, për të kompensuar mbështetjen që ka dhënë për Ukrainën.
Ndërkohë, marrëdhënia midis Trump dhe Zelenskiy ka qenë e tensionuar. Javën e kaluar, Trump e quajti Zelenskiy një “diktator” jopopullor dhe e këshilloi që të arrinte një marrëveshje të shpejtë paqeje, përndryshe do të humbiste vendin e tij. Nga ana tjetër, Zelenskiy tha se Trump po jetonte në një “hapësirë dezinformimi”./Reuters