Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një 28-vjeçar, i cili kishte përfituar mbi 40 mijë euro duke mashtruar 12 persona. Ai u kishte premtuar atyre se do t’iu siguronte terminet për viza pune.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, shuma e përgjithshme që i dyshuari dyshohet të ketë përfituar është rreth 41.100€.
“Policia e Kosovës gjatë zhvillimit të hetimeve ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin me iniciale (A.B; viti i lindjes 1994)) pasi i njëjti, në intervale të ndryshme kohore nga muaji dhjetor i vitit 2021 e deri në muajin Maj të vitit 2022, i kishte mashtruar 12 persona (viktima) duke iu marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke iu premtuar se do t’iu caktojë-rezervojë termine për viza pune në Ambasadën e një shteti të huaj në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të angazhuar sipas detyrës zyrtare, dhe pas përfundimit të procedurave policore, ai është ndaluar për 48 orë me aktvendim të lëshuar nga Prokurori i shtetit.