Avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj ndalimit të kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, duke e cilësuar këtë veprim si të pabazuar dhe të panevojshëm.
Koci, i cili është avokat i Nikçit, ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si po trajtohet ky rast, duke vënë në dyshim drejtësinë dhe ligjshmërinë e hetimit.
“Si avokat i z. Hekuran Nikçi, shpreh shqetësimin tim për ndalimin e tij dhe mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje. Ky ndalim është i panevojshëm dhe i pabazuar.
Z. Nikçi po hetohet pa prova konkrete për përgjegjësinë e tij penale, ndërsa mënyra se si po zhvillohet ky proces nuk i ngjan një hetimi të drejtë dhe ligjor. Për më tepër, kjo është çështje e interpretimit juridik të veprimeve ligjore të palëve në një kontest administrativ.
Drejtësia duhet të mbetet e pavarur dhe e paanshme, pa u ndikuar nga faktorë politikë apo interesa të tjera. Do të përdorim të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e z. Nikçi dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent”, ka shkruar në Facebook, Koci.
Dyshime për keqpërdorim të pozitës, ndalohet për 48 orë kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku, janë ndaluar të enjten me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës.
Nikçi, i cili është emëruar jashtëligjshëm në pozitën e kryeinspektorit të punës, dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “Përdorim i paautorizuar i pasurisë”. Ndërsa Shalaku akuzohet për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se sot nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare – Njësia kundër Pastrimit të Parave në kuadër Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, janë intervistuar të dyshuarit Hekuran Nikçi, Kryeinspektor i Inspektoratit Qendror të Punës në Republikën e Kosovës dhe Naim Shalaku, U.D Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin Qendror të Punës, të cilët me Urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, janë ndalur për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se, i dyshuari Hekuran Nikçi i ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës’ dhe ‘Përdorimi i paautorizuar të pasurisë’ “, thuhet në njoftim.