Parodi nga fqinji autokratik

Presidenti i Serbisë, shteti i të cilit ka përfituar qindra-miliona dollarë nga USAID’i, ka vënë në shënjestër organizata joqeveritare të cilat, po ashtu, kanë përfituar nga kjo agjenci amerikane. Protestat masive po vazhdojnë tash katër muaj, ndërkohë që rrëfimit të Vuçiqit për “agjentët e huaj” që po duan ta rrëzojnë nga pushteti, njerëzit po i besojnë gjithnjë e më pak. Parodi, rrena e absurd bashkë

Këtë të shtunë bëhen katër muaj që kur në Serbi kanë nisur protestat e studentëve, të nxitura nga tragjedia në Novi Sad, kur nga shembja e një pjese të stacionit hekurudhor vdiqën 15 qytetarë. Që atëherë studentë, nxënës, bujq, profesorë, mjekë e avokatë iu janë bashkuar protestave më të mëdha ndonjëherë, të mbajtura në 240 lokacione të ndryshme, duke kërkuar përgjegjësi nga shteti për jetët e humbura.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka provuar të bëjë manovra për të shmangur përgjegjësinë, duke shkarkuar zyrtarë shtetërorë. Por, ai ka hyrë edhe në garë me protestuesit, duke organizuar mitingje në mbështetje të tij, me simpatizantë që barten me autobusë nga e gjithë Serbia.

Këta pjesëmarës në mitingje kanë pranuar se përveç sanduiçëve dhe pijeve që iu ofrohen falas, iu paguhen edhe mëditje prej 25-70 euro. Po ashtu, për secilin person që e bindin t’iu bashkohet në mitingje, i fitojnë 15 euro shtesë. Një tregues ky i panikut që e ka kapluar Vuçiqin, teksa nuk zgjedh mënyrë as mjete për të treguar fuqinë e tij nëpërmjet numrit të njerëzve të mbledhur në mitingje. Ai iu shpërndan para njerëzve për të marrë pjesë në tubime, thua se i nxjerr ato nga xhepi i vet.

Protestat nuk po ndalen, edhe pse ato nuk po mbështeten as nga zyrtarë amerikanë, e as të Bashkimit Europian. Ndërkohë, Vuçiq vazhdon të akuzojë “ata që paguhen nga jashtë”, sipas tij, se po duan ta rrëzojnë nga pushteti, por betohet se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Për të qenë absurdi më i madh, në listën e atyre që nuk e duan në pushtet ai ka futur edhe organizata të shoqërisë civile, të cilat deri tash janë paguar nga amerikanët.

* * *

Kohën e fundit Vuçiq ka marrë zemër nga gjuha dhe veprimet e presidentit amerikan Doland Trump kundër USAID’it. Si për t’i bërë qejfin Trumpit, policia dhe prokuroria atje kanë ndërmarrë veprime për t’i bastisur një numër OJQ’sh me pretekstin e “abuzimeve me fonde të USAID’it”. Por, qëllimi kryesor është delegjitimimi i njerëzve të shoqërisë civile dhe akuzimi i tyre se janë “agjentë të huaj”. Absurdi tjetër është se po këto prokurori dhe gjykata janë ndihmuar nga paratë e USAID’it.

Sipas të dhënave zyrtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet USAID’it dhe agjencive të tjera që nga viti 2000 e kanë ndihmuar Serbinë me më shumë se një miliard dollarë dhe pjesa më e madhe e kësaj shume ka përfunduar në buxhetin e shtetit. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Serbia ka përfituar nga USAID’i mbi 40 milionë dollarë, nga të cilat para organizatat e shoqërisë civile dhe mediat kanë përfituar më së paku. Vetëm për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe dhe “qeverisje të përgjegjshme” shteti serb ka përfituar rreth 20 milionë dollarë. Dhe pikërisht kjo “qeverisje e përgjegjshme” tash po i përndjek njerëzit e shoqërisë civile dhe të mediave, duke i sulmuar dhe akuzuar se janë agjentë të huaj, të cilët paguhen për ta rrëzuar Vuçiqin nga pushteti.

* * *

Një ish-gjyqtare e Gjykatës Supreme në Serbi, Radmila Dragiçeviq-Diçiq, duke komentuar bastisjen nga ana e policisë të organizatave joqeveritare ka thënë se ndjehet e poshtëruar nga këto veprime. Sipas saj, Serbia sillet si një “banana shtet”, duke tërhequr paralele me të kaluarën problematike të disa vendeve të Amerikës Qendrore.

Zëra të arsyeshëm si ky janë shtuar kohën e fundit, duke bërë që Vuçiq të ashpërsojë gjuhën edhe më shumë. Nëpërmjet mediave që i kontrollon, ai çdo ditë akuzon studentët dhe opozitën. Ndërkaq, ditët e fundit shteti ka nisur edhe arrestime masive nën dyshime për korrupsion, nëpër institucione të ndryshme shtetërore.

“Gotov je” (“Ka marrë fund”) është parulla më e shpeshtë në protesta. Njësoj si në protestat që rrëzuan nga pushteti Slobodan Milosheviqin, para 25 vjetësh. Për Vuçiqin duket të jetë fillimi i fundit.

Të fundit nga rubrika