Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur disa detaje në lidhje me ri-dhunimin e të miturës e cila ishte vetëm 11-vjeçe kur është dhunuar për herë të parë në vitin 2022.
Në një përgjigje për Telegrafin nga prokuroria thonë se prokurori i shtetit ka parashtruar masën e paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar, ndërsa sot me datën 28.02.2025 po mbahet seanca dëgjimore prej orës 9:30 minuta kundër katër personave të dyshuar për veprën penale.
“Personat të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale janë: Tre persona për vepër penale ‘Dhunimi’, dy persona për vepër penale ‘Trafikim me njerëz’, si dhe dy persona për vepër penale ‘Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’ “, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Po ashtu, nga Prokuroria kanë thënë se nuk mund të ofrojnë më shumë detaje tani për tani lidhur me rastin pasi që viktima është e mitur dhe mund të dëmtohet rasti.
Ndërkaq, për këtë rast kanë reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës duke thënë se ky rast “na rikujton edhe një herë dështimet në mbrojtje dhe rehabilitim e reintegrim të viktimave të dhunës me bazë gjinore, veçanërisht në rastet e ndjeshme kur për viktimë janë vajzat e mitura”.
Për rastin e 11 vjeçares, Sahiti: Në vazhdimësi kemi ofruar përkrahje e mbështetje
Ndërsa për RTV Dukagjini kanë folur lidhur me rastin edhe nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht Qendra për Punë Sociale.
Drejtore e Drejtorisë Drejtoria për Mirëqenie Sociale Komuna e Prishtinës, Adelinë Sahiti ka thënë se për secilin rast që referohet, cakton menaxherin e rastin si dhe ekipin profesional, duke ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme që rasti të trajtohet konformë mandatit dhe përgjegjësive që ka si institucion.

“Në lidhje me rastin specifik si institucion që nga momentin kur kemi filluar ta trajtojmë, e deri në ditën që po flasim, kemi qenë në bashkëpunim të plotë me prindërit dhe me gjithë akterët e tjerë relevantë të përfshirë në rast, duke ofruar në vazhdimësi përkrahje psikologjike, këshillim dhe mentorim të të miturës dhe prindërve të saj”.
“Një gjë mund të konfirmojmë se sa i përket strehimit, ne në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë familjes së rastit të njohur si 11 vjecarja i kemi ofruar një banesë të cilën ata vazhdojnë ta shfrytëzojnë. Për të ruajtuar konfidencialitetin e rasti me mirëkuptimin tuaj nuk mund të lëshohemi më shumë në lidhje me secilën specifik” ka thënë ajo duke shtuar se mbeten të përkushtuar për secilin rast për të ofruar shërbime cilësore, brenda kapaciteteve dhe mandatit të tyre i cili mbetet i palëkundur.