Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar masën e paraburgimit për kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesin e detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku.
Sipas zëdhënëses së Gjykatës, Milrinda Gashi, kërkesa për paraburgim tashmë është dorëzuar në Gjykatën e Prishtinës.
Nikçi dhe Shalaku ishin ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë, ndërsa janë intervistuar nga Policia e Kosovës, konkretisht Sektori për Hetime Financiare – Njësia kundër Pastrimit të Parave, në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Sipas Prokurorisë, kryeinspektori Hekuran Nikçi dyshohet për tri vepra penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “përdorim i paautorizuar i pasurisë”.
Ndërsa, Naim Shalaku dyshohet për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.