Grupi militant i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të shtunën ka shpallur armëpushim të menjëhershëm, ka raportuar një agjenci e lajmeve e afërt me grupin, pas thirrjeve të liderit të burgosur, Abduallah Ocalan, për dorëzimin e armëve, si një hap i madh drejt përfundimit të kryengritjes 40-vjeçare kundër Turqisë.
Ocalan, të enjten ka bërë thirrje që PKK-ja të dorëzojë armët dhe të shpërndahet si parti, lëvizje që është përkrahur nga qeveria e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe nga partia pro-kurde DEM.
Nëse arrihet një marrëveshje për përfundim të konfliktit pas armëpushimit, atëherë kjo do të ishte një ngjarje e madhe për rajonin pasi do të përfundonte një kryengritje prej katër dekadash, që ka lënë të vrarë më shumë se 40,000 persona, dhe e cila ka pasur ndikime në rajon, duke përfshirë Irakun dhe Sirinë.
PKK-ja ka thënë se shpreson se Ankaraja do ta lirojë Ocalanin, i cili mbahet në izolim që nga viti 1999, ashtu që ai ta nisë procesin e çarmatimit.
“Ne si PKK pajtohemi plotësisht me përmbajtjen e thirrjes dhe deklarojmë se nga fronti ynë, ne do t’i kushtojmë vëmendje kërkesave të thirrjes dhe do ta zbatojmë atë”, është thënë nga grupi.
Ndërkohë, grupi i Forcave Demokratike Siriane (SDF), të cilin Ankaraja e sheh si zgjatim të PKK-së, ka thënë se thirrja nuk aplikohet për të.
Ankaraja vazhdimisht ka bërë thirrje që SDF-ja të çarmatoset që nga rrëzimi i presidentit sirian, Bashar al-Assad, vitin e kaluar, duke paralajmëruar se do të përballej me veprim ushtarak nëse nuk e bën këtë.