Alim Rama, sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, njoftoi se kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pasi tha se me qindra fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga numëruesit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Rama ka shkruar në Facebook se ankesa është dorëzuar “duke parë se KQZ-ja nuk është e gatshme t’i korrigjojë shkelje për arsye krejtësisht politike”, derisa ka shtuar se arsyeja është që qytetarët s’i kanë shtypur siç duhet fletëvotimet.
“Me qindra fletëvotime, si këto më poshtë, janë shpallur të pavlefshme nga numëruesit e QNR-së për një arsye absurde, sepse qytetarët nuk i kanë shtypur ato siç duhet. Por në të gjitha këto fletëvotime qëllimi i votuesit është i qartë dhe i pakontestueshëm”, ka deklaruar Rama.