Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë dhe ka ftuar hetuesit e Prokurorisë Speciale që ta vizitojnë në zyrën e tij. Gjatë vizitës në Gjilan, ku mori pjesë në vënien e gurthemelit të një çerdheje, Kurti ka theksuar se Prokuroria po e lufton Qeverinë.
Ai ka theksuar se në të kaluarën ka pasur raste kur hetuesit kanë vizituar zyrën e kryeministrit, jo vetëm si dëshmitarë, por edhe si të pandehur.
Kurti ka shtuar se kurrë nuk ka thënë se nuk do të japë dëshmi, por se është i gatshëm dhe i interesuar, duke theksuar se ka dërguar një letër ku ka propozuar oraret kur mund të zhvillohet intervistimi.
Kurti ka shtuar se Prokuroria e Shtetit mund të vijë në zyrën e kryeministrit për të realizuar intervistimin dhe nuk ka asnjë arsye për të penguar këtë proces.
“Së pari unë asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të japë dëshmi, ose se refuzoj të japë dëshmi. Përkundrazi kam thënë se jam jo vetëm i gatshëm por edhe i interesuar. Në anën tjetër kam shkruar letrën në të cilën kam treguar oraret se ku mund të bëhet dëshmia. Unë e mirëpres prokurorinë në Zyrën e Kryeministrit. Ka pasur raste në të kaluarën kur prokurorët hetuesit kanë ardhur për kryeministra jo vetëm si dëshmitar por edhe të pandehur, prandaj nuk ka ndonjë arsye që të mos vazhdohet”, ka thënë Kurti para mediave në Gjilan.
Ai ka theksuar se që nga muaji dhjetor ka qenë i mundur që të realizohet ky intervistim dhe ai të japë dëshminë e tij.
Gjithashtu, ai ka deklaruar se Prokuroria po e keqpërdor lirinë dhe po e lufton Qeverinë, e jo krimin e korrupsionit.
“Qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim. Nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë time, ajo do të vinte tek ne. Një prokuror që ka synim kryesor dëshminë e dëshmitarit ai nuk humb kohë. Shtrohet pyetja pse Prokuroria i humb tre muaj, për bindjen time është më shumë e interesuar të mbush ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjell drejtësi. Kurrë Prokuroria e Shtetit në Kosovë nuk ka qenë më e lirë për të vepruar, fatkeqësisht lirin po e keqpërdor për të luftuar qeverinë e jo krimin e korrupsionin. Unë e theksoj se gjithmonë kam qenë dhe jam i gatshëm të dëshmoj”, ka deklaruar Kurti.