Seanca e Parlamentit të Serbisë u shoqërua me tensione të ashpra të martën, kur deputetët e opozitës hodhën dy herë bomba tymi dhe përdorën mjete piroteknike, duke protestuar kundër miratimit të rendit të ditës nga shumica qeverisëse.
Në mesin e kaosit dhe përplasjeve fizike mes deputetëve, kryeparlamentarja Ana Bërnabiq përdori një gjuhë të ashpër dhe fyese ndaj opozitës, si dhe ndaj shqiptarëve dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ajo i quajti deputetët opozitarë “heronj të Albin Kurtit dhe mediave në Kosovë”, duke i akuzuar për nxitje trazirash në Serbi me mbështetje të huaj.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e komentoi këtë retorikë, duke thënë se regjimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për krizën e thellë politike në vend.
Sipas tij, pushteti serb në Beograd vazhdon të kërkojë fajtorë të jashtëm, duke përmendur shërbimet e huaja, Kroacinë dhe madje edhe mediat shqiptare të Kosovës si “nxitës” të protestave.
“Arseja ishte kërkesa e opozitës që të shtyhen të gjitha pikat e rendit ë rendit të ditës dhe në seancë të mbetet si pikë e vetme, dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë. Kryetarja e parlamentit refuzoi dhe kjo ishte një shkas që opozita tentoi bllokimin e seancës, mandej hodhën gazlotësjelljes, gjuajtën me vezë, zhurmë, pat edhe grushtime dhe u pa një kaos i vërtetë.
Më vonë Ana Bërnabiq përdor këtë fjalor, gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, ndaj kryeministrit Albin Kurti. Me qëllim që të mobilizoi, homogjenizoi elektoratin e vet në Serbi. Gjoja se fuqitë e huaja qëndrojnë pas trazirave në Serbi. Aleksandër Vuçiq dhe regjimi i tij kurrë se pranojnë që ka krizë serioze politike, dhe duhet të ballafaqohen me të. Prandaj po mundohen akoma të gjejnë fajtorë nga jashtë, shërbimet e huaja, shërbimet kroate, Albin Kurtin e sot ishin edhe mediat shqiptare të Kosovës, që janë që po nxisin protestat. Është retorikë që ka për qëllim mobilizimin e elektoratit të vet”, ka thënë Kamberi në FIVE të Dukagjinit.