Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndryshuar pozicionin e tyre lidhur me luftën në Ukrainë, duke i alarmuar vendet evropiane se ato duhet të jenë të gatshme nëse SHBA-ja “nuk është në anën tonë”.
Macron ka theksuar se SHBA-ja ka filluar të jetë më pak mbështetëse ndaj Ukrainës dhe ka hedhur dyshime për të ardhmen e situatës.
“Dua të besoj se SHBA-të do të qëndrojnë në anën tonë, por ne duhet të jemi gati nëse nuk është kështu”, ka deklaruar Macron, raporton BBC.
Ai ka paralajmëruar se rreziku nga Rusia është i vërtetë dhe vazhdon të ketë ndikim në sigurinë e Evropës.
“Rusia është dhe do të mbetet një kërcënim për Francën dhe Evropën”, ka potencuar ai.
Presidenti francez ka shtuar se duhet të vazhdohet me ndihmat ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, duke nënvizuar se paqja nuk mund të arrihet nën diktatin e Rusisë, dhe se një armëpushim i brishtë nuk është opsion.
Macroni ka kujtuar gjithashtu dështimin e marrëveshjes së Minskut të vitit 2014, të cilën Rusia nuk e respektoi, duke theksuar se nuk mund të arrihet një paqe pa garantuar kushte të qëndrueshme.