Policia e Kosovës të dielën e 26 qershorit ka ndaluar një veturë me targa shqiptare në Prizren, brenda të cilës janë gjetur shtatë migrantë që ishin futur ilegalisht në Kosovë.
Sipas njoftimit të policisë, një person i dyshuar, shtetas kosovar është ndaluar dhe për këtë rast është njoftuar edhe policia kufitare në Vërmicë.
“Policia e Kosovës, konkretisht patrulla nga stacioni policor Alfa në Prizren, pas pranimit të informacioneve relevante në bashkëpunim me qytetarë, me datë 26.06.2022 rreth orës 09:40, ka ndaluar një automjet të dyshuar me tabela shqiptare dhe gjatë kontrollimit në brendësi të automjetit janë gjetur shtatë persona migrantë ilegal, shtetas të huaj”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin janë njoftuar të gjitha njësitet e nevojshme policore.
“Është kontaktuar Prokurori kujdestar dhe është marrë rekomandimi që rasti të adresohet në kompetencë të Njësitit të Migrimit për trajtim të mëtejmë të rastit sipas ligjeve në fuqi”, vijon njoftimi.