Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të mbajë mbledhje këtë të enjte në orën 15:00, ku në rend dite është shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për hapjen e të gjitha kutive të votimit që përmbajnë fletëvotimet e dërguara nga votuesit jashtë Kosovës përmes postës.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), të mërkurën në mbrëmje ka përfunduar procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 9 shkurt.
Nga votat me postë, Lëvizja Vetëvendosje prin me 51.57 për qind të votave, apo me mbi 31.000 vota.
Pas saj radhiten Lidhja Demokratike e Kosovës me 30.55 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës me 9.48 për qind dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 3.23 për qind.
Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt, pasi KQZ-ja njoftoi se ka miratuar më shumë se 63.000 pako me fletëvotime.
Sipas shifrave të mbledhura nga KQZ-ja, nga të gjitha votat Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar zgjedhjet me 396.022 vota, ose 42.27 për qind të totalit, duke siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Kjo do ta bëjë të vështirë formimin e Qeverisë pa një koalicion.