Përbërja e ardhshme e Kuvendit të Serbisë varet nga një fshat i vogël në jug të këtij vendi. Gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, rezultatet nuk dihen ende.
Kjo për arsye të përsëritjes së votimeve në fshatin Tërnovc i Madh i Bujanocit, si pasojë e disa parregullsive.
Banorët atje do të dalin sërish në votime më 30 qershor – në përpjekjen e pestë.
Nga votat e tyre varet nëse përfaqësuesit e pakicës shqiptare në Serbi do të fitojnë mandatin e vetëm në Kuvend. Të drejtë vote në vendvotimin në Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu” kanë një mijë e 89 votues.
Sipas ndarjes së përgjithshme të mandateve, nëse lista e komunitetit shqiptar fiton një mandat, ai mandat do t’i hiqet pastaj Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), shkruan REL.
Për këtë arsye, Shaip Kamberi, i cili udhëheq “Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës”, akuzon SPS-në se po tenton të sabotojë votimin.
Në anën tjetër, Velko Odalloviq, anëtar i Komisionit Kryesor të SPS-së, mohon se partia e tij ka bërë përpjekje të prishë ditën e zgjedhjeve.
Bomba, provokime dhe konfiskim i listave të zgjedhësve
Në votimin e katërt radhazi – më 23 qershor – ka pasur alarm të rremë për bombë në qendrën e votimit.
Kamberi thotë se zgjedhjet nuk kanë filluar atë ditë, sepse “Partia Socialiste e Serbisë, para hapjes së qendrës së votimit, ka bërë përpjekje të marrë nën kontroll gjithë procesin zgjedhor”.
Sipas tij, synimi ka qenë që anëtarët e komisionit zgjedhor nga radhët e “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës” të jenë të pranishëm vetëm si vëzhgues.
“Ne, si pjesëmarrës, nuk kemi mundur të lejojmë nisjen e procesit [zgjedhor]”, thotë Kamberi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Komisionet në vendvotime janë organe të administrimit zgjedhor, që e drejtojnë direkt votimin në një vendvotim, ndërsa vëzhguesit e procesit zgjedhor mbikëqyrin mbarëvajtjen e procedurave në ditën e zgjedhjeve.
Kamberi thotë se SPS-ja ka dërguar në Tërnovc të Madh një anëtar të komisionit zgjedhor nga Subotica – në veri të Serbisë – i cili, siç pretendon ky përfaqësues i listës shqiptare, ka provokuar anëtarët e pranishëm të komisionit.
“Është e zakonshme që anëtarët e komisionit të jenë njerëz që e njohin terrenin dhe njerëz që mund të kuptohen. Kur dikush vjen nga jashtë, me udhëzime të sakta se çfarë të bëjë, me gjuhë urrejtjeje se ‘kjo është një mbretëri dhe nuk keni asgjë për të kërkuar aty’, atëherë është e qartë se qëllim është provokimi i situatës”, thotë Kamberi.
Odalloviq nga SPS-ja, akuzon përfaqësuesit e partive shqiptare për minim të zgjedhjeve dhe thotë se propozimi i socialistëve ka qenë që procesi zgjedhor të mbikëqyret nga një anëtar i komunitetit shqiptar dhe një serb.
“Ka qenë pala shqiptare ajo që i ka marrë listat e votuesve dhe nuk ka dashur të lejojë askënd t’i kontrollojë. Ne kemi qenë dëshmitarë të një përpjekjeje për të penguar procesin dhe për të mos lejuar fillimin e tij”, thotë Odalloviq.
Ai shton se akuzat se anëtari i SPS-së i ka provokuar përfaqësuesit shqiptarë, nuk janë të vërteta.
Misioni vëzhgues CRTA, i cili ka pasur vëzhgues të pavarur në Tërnovc të Madh, thotë se përveç alarmit të rremë për bombë, anëtarët e komisionit zgjedhor nuk kanë mundur të pajtohen “për ndarjen e roleve” para votimit.
Çka tash?
Pavlle Dimitrijeviq, zëvendësdrejtor i programit të OJQ-së CRTA, thotë se shembulli i Tërnovcit të Madh tregon se puna e dobët e komisioneve zgjedhore është një nga problemet kryesore në procesin zgjedhor në Serbi dhe se CRTA, vazhdimisht, ka kërkuar që kjo të ndryshojë.
“Qendrat e votimit mund të realizojnë zgjedhje të dobëta, ose të mos i zhvillojnë fare, pa asnjë pasojë apo përgjegjësi. E vetmja pasojë është se në përsëritjet e radhës, të njëjtët persona nuk mund të jenë anëtarë të komisionit zgjedhor”, thotë Dimitrijeviq.
Të gjitha votimet në Tërnovc të Madh
Për partitë e pakicave në Serbi nuk vlen pragu prej tre për qind. Për rrjedhojë, këto parti mund të fitojnë mandate në Kuvendin e Serbisë me më pak vota.
Sipas vlerësimeve që citohen më së shpeshti, në Serbi jetojnë rreth 60,000 shqiptarë – kryesisht në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në Serbinë jugore.
Në zgjedhjet e parafundit parlamentare në Serbi, në qershor të vitit 2020, partitë shqiptare kanë qenë në një koalicion dhe kanë fituar tri mandate parlamentare.
Dy vjet më vonë, ato kanë vendosur të garojnë me dy lista – “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, dhe “Alternativa për Ndryshim – Alternativa Demokratike Shqiptare”, e udhëhequr nga Shqiprim Arifi.
Në deklarimet e para, pas zgjedhjeve të 3 prillit, të dyja listat zgjedhore kanë thënë se nuk e kanë kaluar pragun dhe se shqiptarët nuk do të kenë përfaqësues në Kuvendin e ri të Serbisë.
Megjithatë, më 21 prill Gjykata Administrative në Nish ka urdhëruar përsëritjen e zgjedhjeve në Tërnovc të Madh, për shkak të parregullsive. Këtu, edhe ka filluar seria e përsëritjeve.
Zgjedhjet janë përsëritur për herë të parë më 28 prill. Në këtë ditë kanë votuar 697 nga gjithsej, 1,089 votuesit me të drejtë vote – domethënë, pjesëmarrja ka qenë 64 për qind.
Lista zgjedhore “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” ka fituar më shumë se vota 677. Një gjë e tillë do t’i siguronte asaj një mandat në Kuvendin e Serbisë, sikur këto rezultate të mos kontestoheshin.
Kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve e ka paraqitur përfaqësuesi i listës së Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq.
Pasi SPS-ja është ankuar se ka votuar edhe një votues që nuk ka pasur dokumente të vlefshme personale, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve ka urdhëruar një votim të ri.
Zgjedhjet në Tërnovc të Madh janë mbajtur sërish më 27 maj. Atë ditë kanë votuar 618 nga 1,089 votues me të drejtë vote.
Rezultatet kanë qenë ndryshe nga hera e mëparshme. “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” ka fituar këtë herë 598 vota. Atij i janë dashur edhe 12 vota për të kaluar pragun dhe për të fituar mandatin parlamentar.
“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, më pas, ka kontestuar votimin, duke thënë se një person është lejuar të votojë pa letërnjoftim.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve e ka hedhur poshtë ankesën, por Gjykata Administrative ka urdhëruar votim të ri.
Lufta për një mandat
Për të hyrë në Kuvendin e Serbisë, “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës” i nevojiten 610 vota në vendvotimin numër gjashtë në Tërnovc të Madh, me kusht që SPS-ja të mos marrë asnjë votë, pasi kjo do ta rriste pragun zgjedhor.
Në atë rast, socialistët do të humbnin një mandat në Kuvend dhe do t’i kishin 31 deputetë, ndërsa një mandat do t’i takonte koalicionit shqiptar.
“Nuk e di se përse është kaq e rëndësishme për SPS-në, sepse i ka 31 mandate… Pse tani, kur nuk kanë vota, përpiqet kaq shumë që të na pamundësojë atë një deputet? Është e paqartë për mua”, thotë Kamberi.
Odalloviq, në anën tjetër, thotë se SPS-ja këmbëngul që procesi zgjedhor në Tërnovc të Madh të përfundojë në mënyrë të ligjshme.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 20 qershor se për të nuk është plotësisht e qartë se çfarë po ndodh me zgjedhjet në Tërnovc të Madh.