Kutitë e njëjta që i kishin numëruar më parë komisionerët dhe vëzhguesit i kanë prapë përballë.
Me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ata po rinumërojnë votat nga 50 vendvotime.
Në parim, secili vendvotim i ka potencialisht një ose dy kuti votimit.
E ato kuti i përkasin disa komunave.
Rinumërimi i votave ka filluar për 15 vendvotime nga komuna të ndryshme të Kosovës ndërsa 35 i përkasin vetëm komunës së Vushtrrisë.
Numërimi ka nisur fillimisht për kutitë e komunës së Vushtrrisë pasi që aty QNR-ja kishte hasur në mospërputhje të rezultateve.
Ndërsa për 15 vendvotimet e komunave tjera, që KQZ-ja nuk ka treguar se cilave komuna i përkasin, kanë thënë se rinumërimi ka ardh si rezultat i rekomandimit të QNR-së pasi që kanë hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit.
“Sipas të dhënave, deri të martën në orën 16:00, janë rinumëruar 33 nga 35 vendvotimet nga komuna e Vushtrrisë, ndërkaq nga 15 vendvotimet e komunave tjera janë rinumëruar 3 sosh. Procesi i rinumërimit po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar”.
Vullnet Bugaqku nga Demokracia në Veprim, pret që puna me to të përfundojë para të mërkurës, por shprehet skeptik nëse rezultatet e tyre do të sjellin ndonjë ndryshim.
“Besoj që sonte deri në fund të orarit pra deri në mesnatë besoj dhe shpresoj që do të përfundoj procesi i rinumërimit për këto 50 vendvotime. Nuk e di sa mund të bëjë ndonjë efekt në ndonjë rezultat, për subjektet politike besoj që nuk do të ketë fare ndërsa për votat e kandidatëve duhet me pa përmbylljen e gjithë procesit”, ka thënë Bugaqku.
Ndërkohë, nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa, kanë konfirmuar se ky institucion, aktualisht nuk ka në shqyrtim ndonjë ankes të re që lidhet me procesin e numërimit që pasoi votimin e 9 shkurtit.
E me gjithë paralajmërimin, nga Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk ka pasur një ankesë në drejtim të Gjykatës Supreme në lidhje me votimin me postë, proces që kërkuan të përsëritet.