Ukraina pajtohet me propozimin e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor

Shefi i zyrës presidenciale ukrainase, Andriy Yermak, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio në Arabinë Saudite më 11 mars 2025.

Ukraina është pajtuar me propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor në luftën kundër pushtimit rus, duke shtyrë Shtetet e Bashkuara që të njoftojnë se menjëherë do të heqin pezullimin e ndihmës ushtarake, përfshirë edhe atë lidhur me ndarjen e informacioneve të inteligjencës.

Ky ishte rezultati i bisedimeve që zgjatën nëntë orë në Xhedah të Arabisë Saudite më 11 mars, duke shënuar një kthesë të madhe më pak se dy javë pas përplasjes mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë.

Përplasja e tyre shtyu SHBA-në që të pezullonte ndihmën dhe të kufizonte ndarjen e informacioneve të inteligjencës dhe Uashingtoni tha se mori këto vendime për shkak të dyshimeve nëse Ukraina ishte e përkushtuar për arritjen e paqes.

“Presidenti dëshironte që kjo luftë të përfundonte dje… Prandaj, shpresa jonë është që rusët të përgjigjen me ‘po’ sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ne të kalojmë në fazën e dytë, që janë negociatat e vërteta”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, për gazetarët pasi u njoftua për marrëveshjen.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuara nga dy shtetet u tha se Ukraina ka shprehur “gatishmëri” për të pranuar propozimin amerikan për të zbatuar menjëherë një armëpushim të përkohshëm 30-ditor, “ cili mund të zgjatet me pëlqimin e ndërsjellë të palëve, me kusht që të pranohet dhe të zbatohet njëkohësisht nga Federata Ruse”.

Duke folur për gazetarët në Uashington, Trump tha se një takim me Rusinë do të mbahet më vonë gjatë 11 marsit apo të nesërmen.

Rubio, që mori pjesë në bisedimet në Arabinë Saudite së bashku me këshilltarin për siguri kombëtare, Mike Waltz, tha se plani për armëpushim e vendos topin në fushën e Rusisë.

“Ne do t’iu themi atyre se kjo është në tavolinë”, tha ai duke iu referuar Qeverisë të presidentit rus, Vladimir Putin. “Ukraina është e gatshme të ndalë të shtënat dhe të nisë bisedimet. Dhe tani është në duart e tyre që të thonë po ose jo”.

Zyrtarët rusë vazhdimisht kanë thënë se duan një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes, jo një armëpushim apo një marrëveshje të përkohshme.

Ministria e Jashtme ruse tha se nuk përjashton mundësinë e kontakteve me zyrtarët rusë në ditët në vijim, por nuk bëri komente të mëtejme.

Delegacionet amerikane dhe ukrainase thanë se kanë diskutuar për rëndësinë e përpjekjeve për ndihmë humanitare si pjesë e procesit të paqes, veçmas gjatë armëpushimit, përfshirë këmbimin e të burgosurve të luftës, lirimin e civilëve të arrestuar dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të zhvendosur me forcë.

“Kam konfirmim se ndihma e sigurisë nga SHBA-ja do të rinisë”, tha Pavlo Palisa, zëvendësshef i Zyrës së presidentit ukrainas dhe anëtar i delegacionit.

Për më tepër, Ukraina dhe SHBA-ja janë pajtuar që të arrijnë një marrëveshje për zhvillim të përbashkët të mineraleve të rëndësishme ukrainase dhe burimeve të tjera sa më shpejt që të jetë e mundur.

Marrëveshja për minerale ishte paraparë të nënshkruhej në Shtëpinë e Bardhë gjatë takimit më 28 shkurt, por Zelensky u largua pas përplasjes.

Bisedimet u ndoqën me vëmendje nga e gjitha Evropa, e cila është gjithnjë e më e shqetësuar se kontaktet e reja të Uashingtonit dhe Kremlinit do ta lënë jashtë procesit të paqes, si Kievin, ashtu edhe Brukselin.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, uroi SHBA-në dhe Ukrainën, duke thënë se tani është në dorën e Moskës që t’i japë fund luftës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se propozimi për një marrëveshje armëpushimi dhe rinisja e ndarjes të informacioneve të inteligjencës dhe ndihmës ushtarake janë një zhvillim i mirëpritur.

“Ky është zhvillim pozitiv që mund të jetë hap drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, shtoi ajo.

Bisedimet në Arabinë Saudite u zhvilluan pas raportimeve se të paktën tre persona u vranë dhe 18 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve masive me dronë në 10 rajone të Rusisë.

John Herbst, ish-ambasador amerikan në Ukrainë, tha para publikimit të deklaratës të përbashkët se rinisja e bashkëpunimit në fushën e inteligjencës duhet të shihet si rezultat pozitiv për Kievin.

Ai tha se sekuencimi i negociatave të ardhshme do të jetë i rëndësishëm. Ndërsa një armëpushim i hershëm mund të jetë një pjesë kyç e procesit të ardhshëm të paqes, ai theksoi se është e rëndësishme që ai të pasohet nga hapa të tjerë drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje, si vazhdimi i dërgesave ushtarake për Ukrainën, krijimi i një zone të mundshme të çmilitarizuar dhe një rol më i madh për vendet evropiane, duke përfshirë edhe vendosjen e forcave të tyre si paqeruajtës.

“Të gjitha këto ide serioze që kanë qarkulluar”, tha Herbst.

“Kjo mund të mos jetë një paqe e drejtë, sepse një paqe e drejtë nuk do ta detyronte Ukrainën të lëshonte territor, por gjithsesi mund të jetë një paqe e qëndrueshme që e bën shumë të vështirë për Rusinë të rinisë agresionin”.

Çfarë roli do të luajnë Rusia dhe Evropa në bisedimet e paqes?

Ndërsa zyrtarët ukrainas dhe amerikanë u takuan në Arabinë Saudite, vëmendja ishte po ashtu mbi dy aktorët e tjerë që do të vendosin se si do të përfundojë lufta: Rusia dhe aleatët evropianë të Kievit.

Krerët ushtarakë nga më shumë se 30 shtete u takuan në Paris më 11 mars për bisedime mbi krijimin e një force ndërkombëtare sigurie për Ukrainën.

Ideja e një force të tillë po mbështetet nga Britania dhe Franca. Qëllimi i saj është të sigurojë Ukrainën dhe të ndalojë një ofensivë të re të madhe ruse pas një armëpushimi të mundshëm. Forca mund të përfshijë armë të rënda dhe stoqe armësh që mund të dërgohen brenda orësh ose ditësh për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës.

Deri tani, Rusia është shprehur kundër pranimit të trupave evropiane në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje.

Kremlini ka folur gjithashtu për heqjen e sanksioneve perëndimore ndaj ekonomisë ruse, si pjesë e një procesi të paqes, duke përfshirë edhe takimet që u mbajtën në Arabinë Saudite, ku zyrtarët amerikanë dhe rusë biseduan rreth një muaj më parë.

Marie Dumoulin, një ish-diplomate franceze dhe analiste në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, tha se kjo i jep qeverive evropiane disa mundësi për të pasur ndikim kur vëmendja të jetë larguar nga takimi në Xhedah.

Ajo tha ka dyshime në kryeqytetet evropiane në lidhje me atë nëse Rusia është e gatshme të bëjë ndonjë lëshim dhe se Evropa mund të përdorë si ofertën e saj për garanci sigurie për Ukrainën, ashtu edhe mundësinë e heqjes së sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë si një mënyrë për të formësuar diskutimet në Moskë dhe Uashington.

“Kjo i jep Ukrainës disa letra më shumë për të mbajtur në tavolinë”, tha Dumoulin për Radion Evropa e Lirë. “Këto mund t’i japin Ukrainës hapësirë për të thënë nëse marrëveshja që po i ofrohet është e mjaftueshme apo jo”./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Laura Fazliu stoliset me medalje të bronztë në Linz Grand...

Xhudistja kosovare, Laura Fazliu, ka fituar medaljen e bronztë në Grand Prix Upper, që po mbahet në Austri. Medalistja olimpike shënoi tri fitore në...

ShSKUK: Mbi 17 mijë lindje u kryen gjatë vitit 2024

Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë kryer 17 mijë e 495 lindje në...

Përurohet investimi i Dukagjinit në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në...

Fëmijët e nivelit parashkollor në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, kishin festë vetëm një ditë para ditës së mësimdhënësve të tyre. Atyre, iu është...

Të fundit nga rubrika