Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE)-së në Kosovë, Avio Orav ka thënë se ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Martk Rutte dhe zëvendësen e tij, Radmila Shekerinska, gjatë vizitës së tyre në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, Orav riafirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për KFOR-in.
Orav përmes një postimi në “X”, ka thënë se është i rëndësishëm qëndrimi i Kosovës në rrugën drejt BE-së përballë sfidave gjeopolitike.
Tutje Orav është shprehur se dialogu mbetet rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm.
“Përballë sfidave gjeopolitike, qëndrimi në rrugën drejt BE-së është vendimtar. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet e vetmja rrugë drejt stabilitetit të qëndrueshëm”, ka shkruar Orav.
Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha të martën në Prishtinë se NATO mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Bashkimi Evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Rutte u shpreh se për të arritur një paqe afatgjate, nevojiten kompromise të duhura.
“Stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët që të zgjedhin diplomacinë para dhunës. Zgjidhja për një paqe afatgjatë është politike, dhe në këtë drejtim NATO do të vazhdoj të mbështes normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE-ja. Për ta shtyrë përpara këtë dialog të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e duhura dhe të fokusohen në dobitë afatgjate”, ka thënë Rutte.
Sekretari i NATO-s u shpreh se për të arritur këtë duhen vendime të vështira.
“E kuptoj që kjo kërkon vendime të vështira, por normalizimi sjell stabilitet më të madh. Ky është mesazhi që unë do të vazhdoj ta theksoj para të gjitha palëve në Ballkan”, tha Rutte.