Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për të refuzuar kërkesën e ish-presidentit Hashim Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Krasniqi e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe të papranueshëm, duke argumentuar se një sistem drejtësie duhet të ketë jo vetëm respekt për ligjin, por edhe ndjeshmëri ndaj nevojave themelore njerëzore.
“Drejtësia që harron njeriun nuk është drejtësi!
Ka dhembje që nuk maten me ligje. Humbja e një prindi është një nga ato momente ku njeriu duhet të jetë i mbrojtur nga sistemi, jo viktimë e tij.
Në thelbin e çdo drejtësie të ndershme qëndron jo vetëm respektimi i ligjit, por edhe njohja e nevojave dhe të drejtave themelore të njeriut; e drejtës për t’u ndarë nga ai që të solli në jetë, për ta përshëndetur për herë të fundit, për të qëndruar pranë familjes në ditën më të rëndë.
Refuzimi i kërkesës së Presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij është jo i drejtë dhe i papranueshëm.
Ajo që po ndodh sot nuk ka lidhje me drejtësi, por me diskriminim. Nuk është ligj, por arbitraritet. Nuk është siguri, por çnjerëzi. Një Gjykatë ku drejtësia harron njeriun është një Gjykatë që ka humbur rrugën e saj.
Drejtësia pa ndjeshmëri është vetëm një mekanizëm i ftohtë, i pajetë, që nuk shërben as qytetarin, as shoqërinë. Historia nuk do të harrojë.
E dhembshme dhe e papranueshme!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.